Vajza e mrekullive, lindi në javën e 21-të të shtatzënësisë dhe mbijetoi

  • 27 December 2018 - 16:45
Vajza e mrekullive, lindi në javën e 21-të të shtatzënësisë dhe mbijetoi

Bebja Lyla Stensrud nuk peshonte as 450 gramë, kur lindi, në javën e 21-të të shtatzënësisë, në korrik të vitit 2014. Shumë spitale nuk rekomandojnë reanimimin (ofrimin e ndihmës në formë të frymëmarrjes dhe ndihmës tjetër) e bebeve të lindura para javës së 22-të të shtatzënësisë, meqë ato kanë një përqindje tepër të ulët të mbijetesës. Për këtë shkak, kur nëna e saj, Courtney, lindi para kohe, pediatri e këshilloi që të mos e reanimonte beben. Por, Courtney insistoi dhe Lyla u reanimua dhe mbijetoi, duke u bërë bebja e lindur më së herëti, me peshën më të vogël trupore, që arriti të mbijetonte. Nëna e saj e dinte se vajza ishte luftëtare që nga fillimi. Rasti i saj ka mahnitur mjekët. Tani, Courtney përfundimisht ka folur rreth lindjes së bebes 'më të hershme' në botë dhe, për herë të parë, ka shpërndarë fotografi të vajzës së saj të buzëqeshur. Ajo tregon se, derisa bija e saj është një fëmijë i rëndomtë, që pëlqen lojërat dhe ndërvepron mirë me fëmijët e tjerë, ajo ka një vonesë në të folur, gjë që duket të jetë pasoja e vetme e lindjes së parakohshme të saj. Lindjet para kohe kanë shënuar rritje për të tretin vit me radhë, pas një dekade të rënies. 

Faktorët e rrezikut

Rreth një në çdo 10 të sapolindur në SHBA, lind para kohe. Lindja konsiderohet si e parakohshme nëse bebja lindë të paktën tri javë para kohe, apo para javës së 37-të të shtatzënësisë. Bebet e lindur "pa vakt" kanë probleme me frymëmarrje, me ushqim dhe janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve. Ekzistojnë shumë faktorë të cilët mund të ndikojnë që një grua ta lindë fëmijën para kohe, duke përfshirë lindjet e tjera të parakohshme (të mëparshme), shtatzënësinë me binjakë, apo trinjakë, një interval më i shkurtër sesa gjashtë muaj midis dy shtatzënësive, obeziteti (mbipesha ekstreme) dhe hipertensioni. Courtney, 36 vjeçe, e cila jeton në San Antonio, nuk i kishte asnjë nga këta faktorë të rrezikut. Shtatzënësia e saj paraprake, në djalin Hayden, tani 5 vjet, kishte shkuar aq mirë, sa që shtatzënësia e dytë nuk ishte konsideruar me rrezikshmëri të lartë, derisa në javën e 20-të të shtatzënësisë gjinekologu vërejti se qafa e mitrës së saj ishte zgjeruar për 2,5 cm, gjë që nuk ndodh rëndom deri në muajin e nëntë të shtatzënësisë. Ajo u dërgua në Spitalin metodist të fëmijëve në San Antonio, ku qëndroi disa ditë, por më pas u lëshua në shtëpi. "Isha në gjysmën e javës së 20-të të shtatzënësisë, kur një mëngjes u zgjova në një pellg gjaku", thotë ajo. 

"E mbaja vajzën në duar, me kërthizën ende të paprerë"

'Shkova me nguti në emergjencë dhe, meqë kisha kaluar javën e 20- të të shtatzënësisë, më dërguan në triazh. Po të mos kisha bërë 20 javë të shtatzënësisë, do të më linin në emergjencë dhe vajza ime nuk do të ishte gjallët ani". Ajo tregon sesi, pas rreth 10 dite, derisa gjendej në spital. kur shkoi në banjë, hetoi se diçka nuk ishte në rregull dhe, kur e zgjati dorën poshtë, vajza ia kapi gishtin, me gishtat e saj të vegjël. Për fat, gjinekologu i saj ishte kujdestar atë natë, kështu që menjëherë e çuan në sallë të lindjes. Courtney tregon sesi, pasi që lindi, vajza e saj mezi bëri një të qarë, por më pas nuk merrte frymë. Aktualisht, shumë shoqata obstetrish dhe pediatresh nuk rekomandojnë reanimimin para javës së 22-të të shtatzënësisë. Për këtë shkak, pasi që Dr. Kaashif Ahmad, neonatolog, hyri në sallën e lindjes, ai në fillim ishte kundër reanimimit të Lyla-s. "E mbaja vajzën në duar, me kërthizën ende të paprerë dhe iu luta mjekëve që, të paktën, të tentonin t'i ndihmonin asaj për të mbijetuar. Pas një hezitimi, mjekët e morën vajzën, e cila nga blu, tani kishte marrë ngjyrë rozë. Ia vendosën gypin e frymëmarrjes dhe aparaturën tjetër, gjegjëse. Një studim i botuar në vitin 2015, në revistën "The Journal of the American Medical Association", gjeti se shkalla e mbijetesës së fëmijëve të lindur 'pa vakt' është rritur për 5 deri 9% gjatë tri dekadave të fundit, për shkak të përmirësimit të përkujdesjes mjekësore. 

 

(Kosova Sot)