Hapet pika doganore e Kosovës në Durrës
Dogana e Kosovës zyrtarisht sot ka hapur zyrat e saj në Portin e Durrësit, ku sipas krerëve të dyja shteteve kjo gjë pritet të lehtësojë tregtinë, lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe të pasagjerëve.
Me rastin e hapjes së kësaj pike, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kjo pikë doganore e ka kthyer kufirin Shqipëri-Kosova në një kufi formal.
“Me këtë e kemi kthyer portin e Durrësit jo vetëm në një doganë të Shqipërisë por edhe në një doganë të Kosovës. Kjo gjë është hapi i parë iu rëndësishëm drejt bashkëpunimit të plotë doganor të Kosovës dhe Shqipërisë, shkurtimi I burokracive, i orëve të pritjes së kontrolleve, i kostove të pa llogaritshme për bizneset janë efektet e drejtpërdrejta i hapjes së kësaj zyre doganore. Kjo po ashtu e kthen kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi formal”, tha Rama.
Kurse, zëvendës kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se kjo ceromoni është momenti më rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Sot është një moment i rëndësishëm në thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, besoj që ky është projekti i dytë më i rëndësishëm prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo po ashtu tregon se takimet e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk janë thjeshtë ashtu siç janë komentuar si takime politike, kemi kaluar në veprime konkrete të cilat kanë objektiva të mira”, tha Limaj.
Ndërsa, ministri i Financave të Kosovës, Bedri Hamza tha se qëllimi i kësaj pike doganore është rrija ekonomike.
“Qëllimi është rritja ekonomike dhe bartës i rritjes ekonomike të jetë sektori privat, për këtë qëllim jemi duke punuar me ministrinë e Financave të Shqipërisë që ti unifikojmë ligjet dhe të kenë sa më pak procedura burokratike. Sot kjo pikë doganore është hapi i parë i zonës së përbashkët ekonomike”, tha Hamza.
Ndërsa ministri i Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Arben Ahmetaj tha se kjo pikë doganore e Kosovës në Shqipëri kishte mjaftë sfida në vete.
“Hapja e zyrës doganore në portin e Durrësit është një projekt që nisi në vitin 2016 si një hap në vazhdim më tej, në një sërë nismash reciproke, në një nivel të ri bashkëpunimesh midis dy vendeve tona, në favor të lehtësimit, nxitjes së shkëmbimit tregtar dhe lehtësimit të procedurave për operatoret ekonomik të dyjave vendeve. Por mund të them se ishte një sfidë jo vetëm teknike”, tha Ahmetaj.
Hapja e pikës doganore të Kosovës në Durrës ishte paraparë të hapet vite më parë.
(Kosova Sot)