Gjykata amerikane dënon katër gra pasi lanë ushqim dhe ujë në shkretëtirë për migrantët

  • 19 January 2019 - 16:44
Gjykata amerikane dënon katër gra pasi lanë ushqim dhe ujë në shkretëtirë për migrantët

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka shpallur fajtore katër gra pasi kishin hyrë pa leje në një zonë të mbrojtur me ligj dhe kishin lënë ushqim dhe ujë për imigrantët në shkretëtirën e shtetit Arizona.

Vendimi ndëshkues i gjyqtarit Bernardo Velasco shënon dënimin e parë ndaj vullnetarëve ndihmues për aktivitete humanitare në dhjetë vjetët e fundit. Katër gratë u shpallën fajtore për vepra të lehta penale, ndërsa ishin pjesë e organizatës “No More Deaths”.

Kjo organizatë ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës, duke thënë se vullnetaret e tyre kanë qenë duke ofruar ndihmë për shpëtimin e jetës së imigrantëve. Në mesin e të dënuarave ishin Natalie Hoffman, Oona Holcomb, Madeline Huse dhe Zaachila McCormick.

Hoffman u shpall fajtore për hyrje pa leje me veturë në zonën e mbrojtur të Cabeza Prietas dhe lënie të shisheve të ujit dhe kavanozëve me bizele në këtë zonë, ndërta gratë tjera u dënuan për hyrje pa leje në zonë dhe lënie të gjërave personale, shkruan “The Guardian”.

 

(Kosova Sot)