Pacolli të shkarkohet nga posti i ministrit të Jashtëm (Video)

  • 21 January 2019 - 07:35
Pacolli të shkarkohet nga posti i ministrit të Jashtëm (Video)

Salihaj: Pacolli po sillet sikur elefanti në shitoren e enëve të kristalta, i rrëzon dhe i thyen të gjitha

“Për një ministër të përgjegjshëm, mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe tërheqja e vetëm një njohjeje për shtetin do të ishin të mjaftueshme për ofrimin e dorëheqjes para kryeministrit të vendit. Mirëpo, ministrit Behgjet Pacolli tërheqjet e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës dhe një varg çështjesh të tjera në diplomacinë e dështuar të Kosovës, përfshirë dështimin edhe në anëtarësim në INTERPOL, as që i bëjnë përshtypje! Injoranca e ministrit Pacolli shkon aq larg saqë, në një intervistë, është treguar kritik ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, për të cilat thotë se nuk e kanë kryer punën e tyre për sigurimin e votave të shteteve që e kanë njohur Kosovën! Kjo deklaratë dhe dështimet e njëpasnjëshme e skandaloze janë sinjal që Behgjet Pacolli duhet të shkarkohet sa më parë nga posti i ministrit të Jashtëm”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa.

Analistët politikë, përfaqësues të partive politike dhe  qytetarët, kërkojnë që ministri i Jashtëm i Kosovës,  Behgjet Pacolli, duhet të japë dorëheqje për shkak të skandaleve që po e përcjellin diplomacinë kosovare, sidomos tani, me këto tërheqjet e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës dhe një varg çështjesh të tjera në diplomacinë e dështuar të Kosovës, përfshirë dështimin edhe në anëtarësim në UNESKO dhe  në INTERPOL. Ata theksojnë se është shumë skandaloz fakti se pas tërë këtyre dështimeve Pacolli, në një intervistë, është treguar kritik ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, për të cilat thotë se nuk e kanë kryer punën e tyre për sigurimin e votave të shteteve që e kanë njohur Kosovën! Analistët theksojnë se nuk mund të arsyetohet ky dështim i Pacollit, sidomos kur të kihet parasysh fakti se MPB është ministri që ai e udhëheq, si partner i koalicionit, përmes ministrit të tij, prandaj edhe të gjitha këto skandale do të duhej të shërbenin si sinjal që më së paku Behgjet Pacolli të shkarkohet sa më parë nga posti i ministrit të Jashtëm, kurse si përgjegjësi kolektive do të duhej të  dorëhiqet i gjithë kabineti qeveritar dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Pasi  me këtë qeveri rejtingu i Kosovës është në pikën më të ulët, pikërisht për shkak të dështimeve të diplomacisë së dështuar dhe ambasadave që nuk dihet se çfarë pune bëjnë, përveç shpenzimit të parave të tatimpaguesve kosovarë.

Zeqa: Nuk duhet lejuar që edhe më tutje të dëmtohet imazhi i shtetit 

Sipas analistit politik Florim Zeqa, rejtingu i Kosovës ka rënë në pikën më të ulët, pikërisht për shkak të dështimeve të diplomacisë së dështuar dhe ambasadave që nuk dihet se çfarë pune bëjnë, përveç shpenzimit të parave të tatimpaguesve kosovarë në bashkëpunim me sekserët e instaluar në shoqatat dhe organizatat në diasporë, prandaj në një rast të tillë dorëheqja do të duhet të ishte minimumi i llogaridhënies nga ministri i Jashtëm.“Për një ministër të përgjegjshëm mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe tërheqja e vetëm një njohje për shtetin do të ishin të mjaftueshëm për ofrimin e dorëheqjes para kryeministrit të vendit.  Mirëpo, ministrit Behgjet Pacolli tërheqjet e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës dhe një varg çështjesh të tjera në diplomacinë e dështuar të Kosovës, përfshirë dështimin edhe në anëtarësim në INTERPOL, as që i bëjnë përshtypje! Injoranca e ministrit Pacolli shkon aq larg saqë, në një intervistë, është treguar kritik ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, për të cilat thotë se nuk e kanë kryer punën e tyre për sigurimin e votave të shteteve që veç e kanë njohur Kosovën! Kjo deklaratë dhe dështimet e njëpasnjëshme e skandaloze janë sinjal që Behgjet Pacolli duhet të shkarkohet sa më parë nga posti i ministrit të Jashtëm. Nuk duhet lejuar që edhe më tutje të dëmtohet imazhi i shtetit të Kosovës me dështime e skandale të tjera të Behgjet Pacollit, për shkak se mbajtja e një injoranti në krye të diplomacisë shtetërore nuk i bën nder shtetit dhe as kryeministrit që e mban në qeveri”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Aliu: Pacolli duhet të shkarkohet për këto skandale të njëpasnjëshme

Analisti politik Bislim Aliu thotë se është krejtësisht e pafalshme mënyra se si po tolerohet të veprojë një ministër i Jashtëm, pa llogaridhënie për dështimet e tij. “Me të vërtetë është e pafalshme pse a thua nuk jep dorëheqje ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, për tërheqjen e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës, por edhe një varg çështjesh të tjera, në diplomacinë e dështuar, përfshirë edhe dështimin për anëtarësimin në Interpol. Dhe, për këtë, me të vërtetë, është skandaloze se pas këtyre dështimeve, Pacolli në një intervistë është treguar kritik ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, për të cilat ai thotë se nuk i kanë kryer punët e tyre në sigurimin e votave të shteteve që e kanë njohur Kosovën! Andaj, për fajin e vet dhe dështimet e veta, mundohet t'i kritikojë të tjerët. Të gjitha këto skandale janë sinjal real se Behgjet Pacolli duhet të shkarkohet sa më parë nga posti i ministrit të Jashtëm. A thua, edhe sa dështime e tërheqje duhet të ndodhin që Behgjet Pacolli  të shkarkohet nga posti i tij! Për këtë, rejtingu i Kosovës është në pikën më të ulët, pikërisht për shkak të dështimeve të diplomacisë së dështuar dhe ambasadorëve, që nuk dihet se çfarë pune bëjnë, përveç shpenzimit të parave të taksapaguesve kosovarë!”, theksoi analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot”

Ndryshe, edhe analisti Ragip Guraziu theksoi për “Kosova Sot” se për një njeri që ka pak moral dhe kredibilitet personal dorëheqja do të kishte ndodhur kaherë.“Edhe sa skandale duhet të ndodhin në Kosovë, siç janë tërheqjet e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës dhe një varg çështjesh të tjera, për dorëheqjen e Behgjet Pacollit nga posti i ministrit të Jashtëm të Kosovës! Është e turpshme se si Pacolli, në vend se të fajësojë veten për këto skandale të panumërta, ai fajëson të tjerët për të shpeshtuar nga vetja e tij, si melaqe. Shtrohet pyetja pse nuk jep dorëheqje ministri Behgjet Pacolli për tërheqjet e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës dhe një varg çështjesh të tjera në diplomacinë e dështuar të Kosovës, përfshirë dështimin edhe në anëtarësim në INTERPOL? Është e pafalshme mënyra e sjelljes së tij noshalante  dhe skandaloze, duke larguar përgjegjësinë e tij direkt dhe duke u treguar kritik ndaj të tjerëve”, është shprehur Guraziu për gazetën.

Qytetarët: Qeveritarët e shpenzuar mendojnë vetëm për xhepat e tyre

Edhe qytetarët e anketuar mendojnë se për dështimet në politikën e jashtme të Kosovës, për mosanëtarësimin në UNESKO, INTERPOL dhe për tërheqjet e njohjeve nga disa shtete që po ndodhin tash, i pari që do të duhej të përgjigjet dhe të japë dorëheqje është ministri Behgjet Pacolli, por bashkë me të do të duhej të shkonte edhe krejt kabineti qeveritar, sepse përgjegjësia përveç individuale është edhe kolektive, si koalicion qeverisës. Kështu mendon qytetari Skënder Surdulli.

“Nuk po jep askush llogari. Unë mendoj që këtu dorëheqje ishte dashur të japë jo vetëm ministri i Jashtëm Pacolli, por krejt… komplet Qeveria. Nuk është aspak këtu që t’i hidhet faji Ministrisë së Brendshme, sepse nuk ka faj për INTERPOLIN vetëm ministri i Punëve të Brendshme, fajin e kanë të gjithë aty, sepse ata janë një të gjithë,janë një kabinet, nja kallëp janë ata, krejt kanë faj. Ata bashkë hanë darka, në një vend. Le t’i heqim këta pensionistë. Deri tash qitja votën LDK-së… qitja PDK-së… qitja...qitja atij… po krejt i kemi provuar, le të formohet një diçka e re, me rini të shëndoshë”, u shpreh Skënder Surdulli për “Kosova Sot”.

Mendim të njëjtë ndan edhe qytetari Ismet Musliu, i cili thotë se nuk e simpatizon asnjë parti politike, por vlerëson se askush nga këta që janë në pushtet nuk po mendon e nuk po punon për shtet e për qytetarin, por vetëm që të pasurohet secili për vete. Edhe me udhëheq Zvicrën e Gjermaninë këta ta sjellin në zero ekonominë”, theksoi Ismet Musliu për “Kosova Sot”.

Salihaj: Kosova duhet të shkojë pashmangshëm drejt zgjedhjeve të reja

Sipas ish-deputetit të LDK-së, Adem Salihaj, derisa timonin e diplomacisë së Kosovës e drejtojnë tandemi Thaçi-Pacolli, shtetësia e Kosovës në skenën politike dhe diplomatike ndërkombëtare do të vazhdojë akoma më shumë drejt rrënimit, deri në pikën zero.“Njohja ndërkombëtare e Kosovës, qoftë nga shtetet apo institucionet, po shkon drejt rrënimit të plotë, si pasojë e rrënimit permanent t shtetësisë së Kosovës, para së gjithash nga Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli, por edhe nga Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës.  Tërheqja e njohjeve është bërë një proces i shpejtë, i pandalshëm dhe shumë i rrezikshëm për Kosovën. Thaçi dhe Vuçiqi sigurisht që po i gëzohen shumë këtij fakti. Në anën tjetër, Pacolli u tregua totalisht i paaftë, njeri matrapaz dhe sharlatan, qesharak, pa takt dhe pa asnjë sens të diplomatit. Pacolli po sillet sikur elefanti në shitoren e enëve të kristalta, po i rrëzon dhe po i thyen të gjitha. Sa më parë që ai të japë dorëheqje, aq më mirë do të jetë për Kosovën. Kosova, me këtë lidership, po përjeton fatkeqësi të njëpasnjëshme. Njerëzit në Kosovë kanë bindje te gabueshme se gjoja Ramushi dhe Kadri Veseli janë kundër veprimeve të Hashim Thaçit. Në fakt, të gjithë këta janë duke vepruar në marrëveshje të plotë me njëri-tjetrin, ndërsa kjo "lufta" e tyre verbale  është vetëm një farsë për t'i mashtruar qytetarët e Kosovës. Ramushi dhe Kadri Veseli i krijuan, përmes Kuvendit legjitimitet të plotë Thaçit për ta vazhduar, pa asnjë pengesë, veprimtarinë e tij për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Shpëtimi i vetëm për Kosovën është shkarkimi dhe largimi i tyre nga skena politike e Kosovës. Kosova duhet të shkojë pashmangshëm drejt zgjedhjeve të reja. Vetëm kjo e shpëton Kosovën”, theksoi ish-deputeti Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

Bojaj: Kosova udhëhiqet nga hajdutëria dhe mashtrimi

Analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj konstaton se parimisht dorëheqja nënkupton përgjegjësi morale, por kapësit e pushtetit në mënyrë jo të moralshme, të papërgjegjshme, dhe me mjete shantazhuese e kërcënuese nuk mund të përfundojnë në përgjegjësi moralizuese, sepse karakteri prej “hajduti” nuk ua mundëson atyre të bëjnë veprime të moralshme. “Hajdutët e pushtetit dhe vartësit e tyre janë shkatërruesit më të mëdhenj të këtij shteti, edhe ashtu  mjaft fragjil. Këta janë zhvatësit e hajdutët më të mëdhenj të shoqërisë sonë. Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, është vetëm kupola në kulmin e marrëzive të kësaj klase politike në pushtet. Një zyrtar i lartë i shtetit, i cili për dështimet e klanit të tij akuzon një shtet tjetër, qoftë edhe armik, për 'diplomaci kurvash', tregon pasqyrën reale të tij, logjikën seksiste e të retarduar të kësaj klase politike. Normë jashtë çdo logjike politike e diplomatike. Kjo tregon se Kosova udhëhiqet nga 'shou' publicitar, nga hajdutëria, mashtrimi dhe vrapi për t'ia prekur pak, ose edhe për një foto me 'të mëdhenjtë e botës', për t’u rikthyer me një mori rrenash e shpifjesh për popullin qe e përfaqësojnë. Kosova udhëhiqet nga një klasë politike e pamoralshme, e frustruar, gënjeshtarë e hajna. Këta që e vodhën shtetin deri në dërrasë, tashmë kanë hyrë edhe në një mision tjetër të 'tyxharllëkut': Ta copëtojnë Kosovën dhe t’i bashkojnë copat e mbetura me një klasë tjetër të kalbur në Shqipëri, po kaq kriminale e drogmene, për të na shitur copëtimin e trojeve shqiptare si "Shqipëri Etnike". Këtë Shqipëri Etnike, që po na bën me shpatë Serbia armike, hajdutët tanë po na shesin si përrallë për bashkimin e kombit. Në fakt ky është vetëm deformim i një procesi vital kombëtar, rrënim dhe shkatërrim i bashkimit kombëtar”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” analisti Ramiz Bojaj.“Morali është vrarë qëkur në pushtet kemi zgjedhur hajdutët, lapërdharët, rrencat, mashtruesit, tradhtarët...”, theksoi Bojaj për “Kosova Sot”.

Badallaj: Xhambazi Behgjet Pacolli i ka hyrë zanatit të huaj

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, nuk mund të ketë realitet tjetër në politikën e jashtme të një shteti, sikur është Kosova, kur diplomacinë e udhëheq hiç më shumë se një tregtar për interesat personale.“Xhambazi Behgjet Pacolli i ka hyrë zanatit të huaj. Ky harambash nuk ka pikë morali, përndryshe do të dorëhiqej siç e bëjnë këtë punë në të gjithë botën demokratike, ose do të duhej të  shkarkohet. Mirëpo, ky përpos që është i etshëm për pushtet, ky ka edhe interesat e tija personale. Dhe, sa e sa dështime ndodhën për vendin tonë, sa shtetet tërhoqën njohjet dhe sërish ky nuk turbullohet. Dhe, nga këto dështime shumë të turpshme lëre që nuk dha dorëheqje, por është për të habitur fakte edhe nga komplet banda e Qeverisë pse nuk e shkarkuan?! E kjo për mendimin tim dihet se shumica e tyre ushqehen nga grazhdi i këtij matrapazi. Pacolli kot e ka që fajin e tij mundohet t´ia hedhë dikujt tjetër, bjeshka e fajit qëndron mbi supet e këtij pro-rusi. Me këto afera dhe skandale që e ka përfshirë vendin më duket se jo vetëm Behgjet Pacolli do të duhet të dorëhiqet apo të shkarkohet, por, do të ishte mirë që komplet kjo qeveria të ikin në shtëpi, sepse janë dëshmuar të paaftë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Reshat Badallaj.

 

(Kosova Sot)