Përjetoi 25 sulme të zemrës në një ditë dhe mbijetoi

  • 21 January 2019 - 16:29
Përjetoi 25 sulme të zemrës në një ditë dhe mbijetoi

Një bebe nëntë muajsh i la mjekët pa fjalë, pasi që mbijetoi 25 sulme të zemrës në një ditë të vetme, gjë që paraqet rekord të zi në Britani. Theo Fry, i cili tani ka 19 muaj, ka përjetuar 30 arreste kardiake në përgjithësi dhe ka bërë 17 operacione, krejt këto para se t'i mbushte një vit. Në fillim ai ishte dërguar në spitalin "Alder Hey" në Liverpul, pasi që kishte pasur 'helmim të gjakut', ku e ëma e tij thotë se 'askush nuk shpresonte se ai do të shpëtonte'. Bebja u diagnostikua me hark të ndërprerë të aortës, gjë që d.m.th. se zemra e tij, e cila po ashtu kishte dy vrima, nuk mund ta pomponte gjakun nëpër organizëm. Pasi që, pas operacionit të tij të parë, dukej se ishte duke e marrë veten, Theo u dërgua përsëri në spital, ku përjetoi sulmet e përsëritura të zemrës, në janar të vitit 2017. Por, për habinë e mjekëve dhe të tjerëve, Theo arriti që të tejkalonte këto vështirësi. Theo më pas u sëmur edhe nga sepsa, megjithatë e tejkaloi edhe këtë gjendje të vështirë dhe u lëshua në shtëpi, në korrik të vitit 2017. Por, ajo më e keqja nuk kishte ardhur ende, meqë pak muaj më pas ai u kthye në spital me një frekuencë tepër të lartë të të rrahurave të zemrës.

Më 21 dhjetor ai përjetoi një arrest tjetër kardiak, ku zemra e tij nuk punoi për 12 minuta. Përgjatë Kërshëndellave dhe janarit ai përjetoi edhe dy sulme të zemrës, para se, më 31 janar, të përjetonte 25 arreste kardiake për 24 orë. Për fat të mirë, Dr. Ramana zbuloi se burim i problemeve të djalit ishte ventrikuli i majtë i zemrës së tij, i cili ishte mbuluar me ind lidhor, të cilat pengonin funksionimin adekuat të tij. Ai arriti që t'ia hapte këtë pjesë të zemrës dhe Theo menjëherë pati përmirësim të gjendjes, duke u lëshuar nga spitali vetëm dy ditë më pas. Tani kur ka kaluar rreth një vit, Theo është i tëri buzagaz. Kirurgu i cili e operoi djalin, thotë se shërimi i tij është i pabesueshëm.  

 

(Kosova Sot)