Shqipëria 'eksporton' lojërat e fatit në Kosovë, paralajmërohet debat në Kuvend

  • 22 January 2019 - 07:51
Shqipëria 'eksporton' lojërat e fatit në Kosovë, paralajmërohet debat në Kuvend

Dyshohet se pushtetarët janë pas përfitimeve milionëshe 

"Po duket qartë se Qeveria e tashme 'Haradinaj' e ka vetëm një qëllim; paranë dhe shkatërrimin e shtetit. Ndaj, si deputetë të opozitës që jemi, edhe do të kërkojmë nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pa dallim partie, që mos të lejohet ky invazion i lojërave të fatit nga Shqipëria", potencoi deputeti i opozitës, Salih Salihu për gazetën "Kosova Sot"

Njohës të rrethanave ekonomike në vendin tonë vlerësojnë se kur tashmë shumë kompani të lojërave të fatit nga Shqipëria po zhvendosen në vendin tonë do ta zhysin edhe më shumë në krizë Kosovën. Analistët e ekonomisë, por edhe deputetë të vendit tonë, vlerësojnë se, tallja më e madhe për publikun është kur kryeministri Ramush Haradinaj thotë se po të pyetej ai do të hiqte tërësisht lojërat e fatit. Njohësit e rrethanave ekonomike në vend e kanë frikën se shtimi i këtyre lojërave të fatit do të mund të ndikojë negativisht për ekonominë e brishtë të vendit, pasi njerëzit, duke tentuar që të fitojnë më shumë, do të mund të humbin edhe më shumë. Nga analistët shtrohet pyetja se përse opozita është kaq inerte dhe me vetëm ndonjë postim në rrjetet sociale tenton që të heqë lojërat e fatit, pa kërkuar që kjo çështje të debatohet në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i opozitës, Salih Salihu (PSD), për gazetën "Kosova Sot", thotë se keqja më e madhe është se edhe Qeveria "Haradinaj" deri më tash u deklarua se është pro këtyre lojërave dhe kazinove,andaj kjo sikur po na tregon se edhe ata janë si hisedarë dhe aksionarë të fshehtë në prapavijë të tyre. "Prandaj, edhe kjo po duket qartë se Qeveria e tashme 'Haradinaj' nuk e ka këtë qëllim, ngase ata kanë vetëm një qëllim paranë dhe shkatërrimin e shtetit.Ndaj, si deputetë të opozitës që jemi edhe do të kërkojmë nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës pa dallim partie që mos të lejohet ky invazion i lojërave të fatit nga Shqipëria", potencoi ai. Kriza do të thellohet Analisti Ragip Guraziu, për gazetën " Kosova Sot", thotë se lojërat e fatit do ta zhysin edhe më shumë në krizë Kosovën, pasi shumë kompani nga Shqipëria tashmë janë vendosur në Kosovë. "Prandaj, duhet thënë qartë se është tallja më e madhe për publikun, kur kryeministri Ramush Haradinaj thotë se po të pyetej ai do të hiqte tërësisht lojërat e fatit. Së këndejmi, edhe duhet pyetur se si është e mundur që një kryeministër nuk është në gjendje ta bëjë këtë, atëherë shtrohet pyetja pse rri në atë pozitë, apo e ka vetëm për t'u 'larë' para popullit se ai është kundër tyre", u shpreh ai.

"Nuk e kam asnjë dyshim se shtimi i këtyre lojërave të fatit do të ndikojë negativisht për ekonominë, kjo pasi njerëzit, duke tentuar të fitojnë më shumë, e kam frikën se ata do të humbin më shumë sesa që do të fitojnë. Por, ajo që mua po më befason më së tepërmi është çështja se përse opozita në Kuvendin e Kosovës po është kaq inerte dhe ajo sikur po kënaqet me vetëm ndonjë postim që po e bëjnë në rrjetet sociale, duke tentuar që të heqin lojërat e fatit pa pasur asnjë debat në Kuvendin e Kosovës", vlerësoi ai. Kuvendi të mos heshtë Ndërsa, deputeti i koalicionit në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoti(Nisma), për gazetën "Kosova Sot", tha se ka qenë i drejtë veprimi i Qeverisë së Shqipërisë, prandaj ai do të kërkojë që kjo çështje urgjentisht të debatohet në Kuvendin e Kosovës . "Madje, jo vetëm që të debatohet, por edhe duhet që të vendoset që ky invazion i lojërave të fatit dhe kazinove nga Shqipëria mos të lejohet në asnjë mënyrë që të bëhet në Kosovë, ngase llogaritet që do të humbin me miliona euro para të qytetarëve tanë dhe kjo shifër do të dyfishohet apo trefishohet", theksoi ai.

"Edhe duhet ndaluar invazionin e tyre nga Shqipëria për në Kosovë dhe si deputetë që jemi na pret një punë e rëndë për t'i ndaluar këto lojëra të fatit dhe të kazinove sa nuk është bërë ende vonë. Së këndejmi, edhe Qeveria e Kosovës duhet të bëjë të pamundurën dhe mos të lejojnë këtë invazion nga Shqipëria, sepse përmes këtyre lojërave të fatit dhe kazinove do të bëhet shpëlarje e madhe e parave të pista", vijoi më tej Hoti. "Si deputetë të Kuvendit nuk po na mbetet gjë tjetër veçse që në vitin 2019 duhet që të jemi gati që bashkë me shoqërinë civile e ndonjë deputetë atdhetarë të koalicionit të tashëm qeverisës të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga kazinotë dhe lojërat e fatit, pas rregullimit të statusit të kazinove dhe bastoreve", ka potencuar ai. 

Qeveria t'i mbyllë

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën," Kosova Sot', thotë se lojëra fati ka gjithkund në botë, por pronarët që po i hapin ato lojëra të fatit, duke ia filluar nga kazinotë e deri tek bastoret, po e shkelin ligjin, duke i hapur ato afër shkollave, afër universiteteve etj., si dhe po marrin para nga fëmijët nën moshën 18- vjeçare. "Prandaj, duke e parë që asnjë pronar nuk po i merr këto kritika të kryeministrit, dhe kryetarëve të komunave, atëherë me të vërtetë këto lojëra të fatit duhet që të mbyllen në të gjithë territorin e Kosovës", tha ai. Me këtë rast, analisti Grapci i ka bërë apel kryeministrit Haradinaj që të mbyllë të gjitha lojërat e fatit. "Shtimi i lojërave të fatit pa lejen e Qeverisë dhe kuvendeve komunale do të ndikojë shumë keq në ekonominë e Kosovës, për shkak se këto kompani të lojërave të fatit, që po vijnë nga Shqipëria, do të dinë se si t'i shmangen tatimit dhe marrjes së licencës. Prandaj, ato ose duhet të licencohen sipas ligjit, këto lojëra të fatit, ose duhet të mbyllen në tërësi", theksoi ai.

Politikanët pas kazinove

"E tërë e keqja është se prapa këtyre lojërave të fatit po qëndrojnë politikanët tanë më të lartë në të dyja shtete shqipfolëse që po i plaçkitin qytetarët e nëpërkëmbur dhe përmes pastrimit të parave. Sikurse edhe në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovës, nevojitet që Qeveria të intervenojnë, si për çdo gjë tjetër me interes publik duhet që të ushtrojë një forme kontrolli, në mënyrë që ato mos të përhapen kaq shumë, por të jetë më i shtrënguar në licenca, apo lokalizimi vetëm i disa zonave që lëshohet. Sepse, ky lloj fenomeni në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit dhe shërben për pastrim parash, përveç faktit që aktivitete kaq të shpeshta krijojnë probleme me karakter social tek të gjitha moshat, por sidomos tek të rinjtë. Praktika ka treguar se shumë vende të botës e kanë marrë tatëpjetën, në momentin kur qytetarët vendosin të bëjnë ca para më shumë, në mënyrë të shpejtë, duke provuar fatin e pasurimit të shpejtë në lojëra e fatit", tha Salih Salihu për "Kosova Sot". 

Lojërat e fatit shërbyen për pastrim parash 

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën " Kosova Sot', thotë se lojërat e fatit janë pjesë e ekonomisë së tregut dhe ato funksionojnë në çdo vend demokratik. "Deri tash si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri në këtë lëmi ka pasur shumë parregullsi dhe kanë shërbyer në mes tjerash edhe për pastrim të parave. Duke parë shqetësimet legjitime, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë iniciativën për rregullimin ligjor të kompanive që merren me lojërat e fatit dhe të prognozave sportive, basteve dhe të ngjashme. Rregullimi ligjor i tyre me një ligj të veçantë do të thotë një mbikëqyrje e gjithanshme e tyre që nga licencimi, operimi i përditshëm dhe pagesa e taksave. Në Kosovë, në çdo lëmi, duhet të mbisundojë ligji, përfshirë këtu edhe lojërat e fatit, bastoret dhe prognozat sportive", theksoi ai.

(Kosova Sot)