Aktakuzat e para në shtator, pritet situatë dramatike

  • 23 February 2019 - 07:26
Aktakuzat e para në shtator, pritet situatë dramatike

Musa: Vetëm pas përfundimit të këtyre intervistimeve mund të ngritën aktakuzat e para

“Kuptohet, në mesin e të intervistuarve do të jenë edhe  funksionarë të lartë të shtetit të Kosovës, dikur komandantë e tash të intervistuar për dyshime. Pra, në mesin e tyre si të intervistuar do të jenë prijësit institucionalë aktualë dhe shumë të tjerë, ndaj pritet që të jetë situatë dramatike bazuar në raportin e Dick Martyt”, thotë eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare,Blerim Burjani për gazetën  “Kosova Sot”

Ftesat nga Specialja po shtohen, por nuk dihet se kur do të nisë edhe ngritja e aktakuzave të para nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e Gjykatës Speciale. Ndërkohë, në Gjykatën Speciale ka vazhduar intervistimi i Komandant "Bacës", kurse Gjykata ka ftuar edhe deputetin e AAK-së, Blerim Kuçi për intervistim. Deri më tash janë intervistuar disa persona, por ende nuk ka ngritje të aktakuzave.

Zyrtari për informim, Chris Bennett, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në një përgjigje të shkurtër për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se ZPS-ja nuk jep informacion për kohën e publikimit të akuzave të mundshme për arsye profesionale, etike dhe ligjore. “ZPS-ja po kryen hetimet më të plota të mundshme rreth pretendimeve të përfshira në Raportin e Martit dhe do të vazhdojë në po të njëjtën mënyrë. Nëse dikush beson se ka informacion në lidhje me hetimet, personi është i mirëpritur të kontaktojë një prokuror nëpërmjet linkut të sigurt në faqen tonë të internetit”, shpjegoi ai.

Avokati Skender Musa, në një prononcim për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se vetëm pas përfundimit të këtyre intervistimeve mund të ngritën aktakuzat e para. Ai nuk është lëshuar në spekulime rreth kohës, por ka shtuar se procedurat ligjore janë këto që po i ndjek Specialja.

Burjani: Dështoi Gjyqësia kosovare, erdhi Gjykata Ndërkombëtare

Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Blerim Burjani, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aktakuzat e para priten të ngritën më së largu në shtator. “Të gjitha figurat e larta politike të shtetit mund të jenë së paku objekt intervistimi, edhe pse kjo Gjykatë hibride e padrejtë ndaj luftëtarëve të lirisë, njerëzve kontribuues të mbërritjes së paqes në Ballkan, tash kontribuuesit për të arritur paqen dyshohen. Andaj, kjo situatë sa është e padrejtë është edhe e papranueshme, por kjo ndodhi si rezultat i moshetimit  të Gjyqësisë kosovare në proceset e luftës. Andaj, është në duart e hetuesit dhe prokurorit se ndaj kujt  do të ngritën aktakuza, pra tash varet shumë nga provat që mund të paraqiten apo të mbledhura”, theksoi më tej Burjani.

Sipas tij, janë rreth 150 persona që dyshohen për krime lufte. “Priten të ngritën aktakuza të sërishme edhe ndaj personave që kanë qenë objekt i gjykimit në Tribunalin e Hagës, kuptohet kjo është lënë si mundësi nëse gjenden prova të reja. Kjo, ngase, sipas të dhënave jozyrtare, thuhet se ka disa prova të tjera dhe e tëra kjo tash mbetet që të shihet se çka do të thotë kryeprokurori. Ndryshe, është absurd që të ngritën padi kundër njerëzve që janë liruar nga Tribunali e që bie ndesh me parimet e drejtësisë që si dihet është se nuk ka aktgjykim të dyfishtë për raste të njëjta”, ka thënë Burjani. 

“Peshqit e mëdhenj” mund të shpëtojnë

Analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se të prejudikosh se domosdo të ngritën aktakuza mund të keqkuptohesh se je palë. “Kjo Prokurori e Specializuar mund që nuk do të ngritë asnjë aktakuzë, apo do të ngritë ndonjë për ndonjë rast “ordiner”, sa për të arsyetuar shpenzimet e mëdha financiare që po bëhen për këtë komplot pseudogjyqësor. Ndërsa, Hashim Thaçi dhe ndonjë “peshk i madh” nuk do të paditen fare. Hetuesia po fton në “intervista” persona që kanë të bëjnë me shpifjet, të cilat i ka sajuar Serbia dhe i ka imponuar duke shpërdoruar shumicën anti-amerikane dhe anti-shqiptare në Këshillin Evropian (jo të BE-së), përmes Komisionit të udhëhequr nga serbofili Dik Marty.

Këta që po ftohen duhet të jenë viktimat aktuale, me shpresë se ndoshta nga ata mund të improvizohet ndonjë pseudoprovë. Kot spekulojmë, askush nuk mund ta dimë, kur do të ngritën aktgjykimet e para, nëse do të ngritën. Këtë e dinë vetëm Hetuesia dhe Prokuroria e Specializuar”, ka thënë ai.

Ish-drejtues të UÇK-së, në shënjestër

Ndërsa, njohësi i situatës politike në vendin tonë Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot”, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka gjetur prova për të akuzuar mbi 60 ish-drejtues dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Aktakuzat nuk kanë të bëjnë vetëm me krime lufte, por edhe vepra të tjera të kryera deri në fund të vitit 2000. Rasti në fjalë ka pasur një gjykim të gjatë në Kosovë, të përcjellë me shumë bujë. Në të janë gjykuar një grup pjesëtarësh të UÇK-së, përfshirë në ish-komandantë lufte. 

Që të gjithë, në fund të procesit, sipas një gjykatë vendore, kanë dalë të pafajshëm. Këtë, në fund e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme. Aktakuza e ngritur në Kosovë rreth këtyre krimeve të supozuara, ishte ngritur nga prokurorë ndërkombëtarë, pjesë e një misioni të huaj në Kosovë, ku pjesë e trupit gjykues kanë qenë gjyqtarët ndërkombëtarë që kanë funksionuar si pjesë e një misioni në Kosovë. Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011”, u shpreh ai.

Qytetarët mbrojnë luftën e drejtë për liri

Krahas analistëve, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të indinjuar me mundësinë e ngritjes së aktakuzave të para ndaj shqiptarëve të Kosovës nga ana  e Prokurorisë së Gjykatës Speciale. Qytetarët e anketuar punën e Gjykatës Speciale e vlerësojnë të dëmshme për Kosovës, ngase bashkësia ndërkombëtare nuk është dashur që të themelojë një gjykatë të tillë ndaj Kosovë, por përkundrazi është dashur pala kosovare që ta themelojnë vetë atë gjykatë.

Qytetari  nga Prishtina Rrahman Rrahmani, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se themelimi i kësaj Gjykate Speciale u bë me kërkesën e Bashkësisë Ndërkombëtare pas akuzave të rrejshme të Serbisë. “Andaj, e them me sinqeritet se lufta e shqiptarëve për liri ishte një luftë e ndershme dhe UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte ndaj serbëve”, theksoi ai. Edhe qytetari nga Prishtina Ismail Hamiti, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se gabimi më i madh që e mundësoi themelimin e kësaj gjykate ka qenë te pala kosovare që ka qenë dashur ta themelojnë vetë këtë gjykatë ashtu siç e bëri Serbia, e mos ta bëjnë këtë bashkësia ndërkombëtare.

“Prandaj, edhe fillimi i punës së kësaj gjykate është në dëm të shqiptarëve dhe kjo fund e krye është një skenar i Serbisë që ka qëllimin njollosjen e luftës sonë çlirimtare, përkatësisht tendencës e barazimit të krimeve të tyre që i ka bërë Serbia në Kosovë”, vlerësoi ai. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë bërë krime lufte ndaj serbëve.

(Kosova Sot)