Lumbardhi në Pejë, shënjestra e radhës e “investimeve strategjike”

  • 24 February 2019 - 07:47
Lumbardhi në Pejë, shënjestra e radhës e “investimeve strategjike”

 Lajçi: Investimet në Lumbardhin e Deçanit dhe në Lumbardhin e Pejës janë një shembulli i shkatërrimit të ambientit dhe ujërave

"Ndërtimi i këtij mini-hidrocentrali i ka tri sherre, sepse sikur ky të ishte një biznes vendor do të jepte efekt sekondar në ekonomi, ngase do të zhvillohet një biznes dhe do të krijonte efekt ekonomik. Por, ky është një investim i huaj dhe nuk do të punësojë askënd dhe veç saj me gjeneratorë nuk do të përfitojmë asgjë”, thotë eksperti i energjetikës Hamdi Malushaj, për gazetën “ Kosova Sot”

Qeveria kosovare po rrezikon të dëmtojë ndjeshëm ambientin përmes projekteve të dyshimta investuese, pa përfillur standardet mjedisore, natyrën e bukur të Kosovës dhe pasojat që rrjedhin nga dëmtimi i saj. Një ndër projektet e mbështetura nga Qeveria përmes Ligjit për Investime Strategjike është ndërtimi i hidrocentralit në Lumbardh të Pejës. Sipas deputetëve të opozitës, thuhet se Qeveria e Kosovës, në emër të investimeve strategjike, po i rrënon lumenjtë e Kosovës.

Sipas opozitës, një rast i tillë është rasti i HEC-it që nga ana e Qeverisë po planifikohet të ndërtohet në Lumbardh të Pejës, ngase ndërtimi i tij do ta dëmtonte tej mase natyrën. Me gjithë pyetjet e gazetarit të drejtuara në adresën elektronike të kryetarit të Komunës së Pejës, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Ndërkaq, nga njohësit e kësaj fushe thuhet se ndërtimi i mini-hidrocentralit nuk ka efekt ekonomik dhe efekt në punësime. 

 Tri pasoja negative

Eksperti i energjetikës Hamdi Malushaj, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se si një përkrahës i madh i energjisë alternative, vlerëson se si një investim strategjik kjo do të ndikojë dukshëm në prishjen e ambientit dhe lumenjve të asaj ane. “Veç saj, ndërtimi i këtij hidrocentrali nuk e ka efektin ekonomik dhe efektin në punësime”, u shpreh ai.

“Ndërtimi i këtij mini-hidrocentrali i ka tri sherre, sepse sikur ky të ishte një biznes vendor do të jepte efekt sekondarë në ekonomi, ngase do të zhvillohet një biznes dhe do të krijonte efekt ekonomik. Por, ky është një investim i huaj dhe nuk do të punësojë askënd dhe veç saj, me gjeneratorë nuk do të përfitojmë asgjë”, vijoi më tej Malushaj. “Tarifat  e kësaj energjie nuk janë nxitëse dhe energjia do të jetë shumë e shtrenjtë. Prandaj, pasi Kosova e ka atë mundësi të blerjes së energjisë elektrike nga ndonjë vend tjetër në regjion, si nga Hungaria, atëherë mund ta blesh prej tyre më lirë.

Ndaj, së këndejmi e them se nuk ia vlen që të investosh në këto mini-hidrocentrale”, ka vlerësuar ai.

Gryka e Rugovës, në rrezik

Ndërsa, lideri i Partisë së Gjelbërve të Kosovës, Daut Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, tha se ndërtimi i një mini-hidrocentrali në këtë pjesë në Lumbardh është projekt i vjetër që do ta përmbyste Grykën e Rugovës dhe monumentet e asaj ane. “Si i tillë, unë vlerësoj se nuk ka llogari as që të ndërtohet dhe veç saj pengesa do të bëjë edhe Patrikana e Pejës, që nuk do të lejojë ndërtimin e tij. Por, sidokudo do të ndikonte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike që është një pengesë edhe për investimet e huaja në Kosovë ”, theksoi Maloku.

 Shembuj të shkatërrimit të ambientit

Deputeti i opozitës në Kuvendin e  Kosovës, Ali Lajçi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se si qytetar, por edhe si deputet i kësaj ane, nga Peja, projekti është i vjetër dhe është aprovuar më herët nga Bordi i drejtorëve. “Kurse tash i njëjti projekt është aktivizuar nga Qeveria e Kosovës.

Por, mendoj se me këtë rast duhet që të kemi shumë kujdes për ambientin, ngase e tërë ajo zonë, që është një aset kombëtar dhe aset turistik, duhet ruajtur. Prandaj, e them se investimet në Lumbardhin e Deçanit dhe Lumbardhin e Pejës janë një shembulli i shkatërrimit të ambientit dhe ujërave dhe burimeve të tyre dhe do të shkaktojnë dëme të mëdha. Nëse veç Qeveria ka vendosur që të investohet atje, atëherë e them se duhet  shikuar deri në detaje se çfarë është ai projekt se sa është ndikues dhe sa mund që ta shkatërrojë ambientin e kësaj zone turistike”, u shpreh ai.

Investime apo rrënim?!

Ndërsa, deputeti tjetër në Kuvendin e  Kosovës, po ashtu nga tabori i opozitës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se ka frikën se Qeveria e Kosovës në emër të investimeve strategjike po i rrënon lumenjtë e Kosovës.

“Unë vlerësoj se një rast i tillë është rasti i HEC-it në Lumbardh që nga ana e Qeverisë po planifikohet të ndërtohet në komunën  e Pejës, do ta dëmtonte tej mase natyrën. Ndërkaq, vlerësoj se  me ndërtimin e këtij mini-hidrocentrali për komunën e Pejës nuk do të ketë as efekt ekonomik dhe as efekt në punësime. Sikur t’i kishte këto efekte, mendoj se do të vlente të investosh. Por, e mira e tij është se ndërtimi i tij do të ishte një porosi e mirë edhe për investitorët e huaj”, potencoi ai.

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se për të krijuar rrymë alternative, që nuk është me qymyr, duhet të kesh edhe investime të suksesshme. “Si qytetar i kësaj komune, vlerësoj se te rasti i HEC-it në Lumbardh nuk është gabuar asgjë dhe këtë po e flas nga pikëpamja ime personale, ngase qysh në kohen e Serbisë, që do të thotë para viteve1998-99, plani ka qenë që në këtë lumë të ndërtohet një digë e madhe ku do ta furnizonte krejt Rrafshin e Dukagjinit me rrymë elektrike, duke i përfshirë edhe fshatrat e Rugovës, Deçanit , Istogut dhe Klinës”, shpjegon ai. Sipas Grapcit, duhet të ndërtohet mini-hidrocentrali në Lumbardh të Pejës, sepse me ndërtimin e tij, në Rrafshin e Dukagjinit apo edhe më gjerë mund të ulet çmimi i energjisë elektrike për 30 për qind.

Megjithatë, ambientalistët nga shoqëria civile kanë ngritur zërin kundër projektit që do ta devijonte rrjedhën e Lumbardhit në Pejë, duke goditur rëndë bukuritë natyrore të kësaj pjese me potencial të jashtëzakonshëm turistik.  

(Kosova Sot)