Zbulohen gjenet për përgjegjësi dhe ndërgjegje, që i trashëgojmë nga prindërit

  • 27 February 2019 - 15:59
Zbulohen gjenet për përgjegjësi dhe ndërgjegje, që i trashëgojmë nga prindërit

Arritja e bebes së re në familje shpesh shoqërohet me deklarata krenare të prindërve që thonë se bebja ka sytë, gojën, apo hundën e tij/saj. Por, studimet më të reja sugjerojnë se fëmijët nga prindërit e tyre mund ta trashëgojnë edhe atë se sa përgjegjës janë. Një studim në më shumë se 700 vëllezër dhe motra, sugjeron se ADNja mund të ndikojë në kompasin moral të fëmijëve, më shumë sesa edukimi i tyre. Shkencëtarët me këtë rast gjetën se vëllezërit dhe motrat nga të dy prindërit kanë më shumë ngjashmëri me prindërit e tyre, edhe nëse bashkë me ta rriten edhe motrat apo vëllezërit vetëm nga njëri prind. Por, shkencëtarët megjithatë thonë se, gjenet vetëm na e japin potencialin, derisa ne ende mund të ndikojmë në atë se çfarë njerëzish do të bëhemi. Studimi është bërë nga Universiteti shtetëror i Pensilvanisë dhe është udhëhequr nga Amanda Ramos, PhD kandidat nga departamenti i psikologjisë. 'Shumë studime kanë treguar lidhjen midis prindërimit dhe këtyre tipareve virtuoze, por ato e kanë injoruar komponentin gjenetik', thotë Ramos. "Mendoj se kjo ka rëndësi, meqë prindërit bartin gjenet e tyre te fëmijët, kështu që për tiparet që i konsiderojmë si të mësuara nga prindërit te fëmijët, ato në fakt mund të jenë të trashëguara". 

 

Britmat dhe konflikti

Për ta zbuluar rolin e gjenetikës, shkencëtarët analizuan 720 çifte vëllezërish-motrash, të moshës 12-14 vjet. Këtu përfshiheshin binjakët identikë dhe ata të tjerët, vëllezërit dhe motrat nga prindër të shkurorëzuar dhe ende të pashkurorëzuar, motrat dhe vëllezërit vetëm nga njëri prind, si dhe fëmijët e bashkëshortit/tes së prindit, pra që nuk kanë lidhje gjaku midis tyre. Kjo ua mundësonte shkencëtarëve që ta konstatojnë rolin e gjeneve dhe rolin e ambientit të jashtëm në zhvillimin e tipareve të personalitetit. Për shembull, binjakët identikë kanë ADN të njëjtë, derisa fëmijët e bashkëshortit/tes të prindit, nga martesa paraprake, nuk kanë lidhje gjaku midis tyre, edhe pse rriten dhe jetojnë bashkë. Midis tjerash, kërkuesit shkencorë analizuan edhe shkallën në të cilën fëmijët janë të ekspozuar ndaj 'pozitivitetit të prindërve', sikur që janë lëvdatat dhe reagimet, si dhe negativitetit, sikur që janë britmat dhe konflikti. 

Formësimi i karakterit

Kur pjesëmarrësit në studim arrinin moshën 25-27 vjet, atëherë shkencëtarët i analizonin për të parë se sa të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm ishin ata. Rezultatet e studimit - të botuara në revistën "Behavior Genetics" - treguan se, derisa prindërimi pozitiv shoqërohej me fëmijë që ishin më të përgjegjshëm dhe më të ndërgjegjshëm, efekti ishte më i fuqishëm te fëmijët me lidhje më të afërta gjenetike. "Mënyra se si veprojnë apo sillen fëmijët, varet pjesërisht nga ngjashmëria gjenetike dhe reagimi i prindërve ndaj atyre sjelljeve të fëmijëve. Më pas, këto sjellje kanë ndikim te përgjegjësia sociale dhe ndërgjegjja e fëmijës", thotë Ramos. Autorja e studimit, Jenae Neiderhiser, profesoreshë e dalluar e psikologjisë dhe zhvillimit njerëzor, beson se ky studim do të ofrojë ndihmë në shpjegimin e asaj se si fëmijët ndikojnë në formësimin e karakterit të fëmijëve të tyre. 'Shumë njerëz mendojnë se, në këtë aspekt, rëndësi kanë vetëm faktorët e ambientit të jashtëm, por studimi ynë tregoi se një pjesë e kësaj varet edhe nga gjenet", shprehet ajo. "Kjo d.m.th. se prindërit trashëgojnë një tendencë për t'u sjellë në një mënyrë të caktuar dhe se kjo nuk duhet injoruar", përfundon Neiderhiser. Përkundër gjetjes së një lidhjeje gjenetike me tiparet e personalitetit, kërkuesit shkencorë theksojnë se edhe mënyra e edukimit ndikon në atë se kush bëhemi. 

 

 

(Kosova Sot)