Goditje e rëndë, profesori ndërkombëtar ‘shpërthen’ ndaj Thaçit, e quan kryebandit e tradhtar

  • 06 March 2019 - 17:52
Goditje e rëndë, profesori ndërkombëtar ‘shpërthen’ ndaj Thaçit, e quan kryebandit e tradhtar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të punojë për ta ndryshuar kushtetutën e Kosovës në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë, ku sipas Thaçit, Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës.

E lidhur me këtë, për gazetën “Kosova Sot”, ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se Hashim Thaçi është duke e keqpërdorë Preshevën.

“E kam dëgjuar zotin Thaçi para tri ditësh të deklaronte se “Do ta ndryshoj kushtetutën, për gjoja rrenën e madhe “të bashkimit të Preshevës më Kosovën”! Se nuk mund të thoshte se “kuvendi duhet ta ndërrojë kushtetutën për të bërë legjitime ndarjen e Kosovës”. Në vend të kësaj ai po përdor e keqpërdor Preshevën?! E kam thënë me kohë: - Nëse Kosova i jep veriun Serbisë mund të marrë nja pesë fshatra të Preshevës dhe nja dy fshatra të Bujanovcit. Ta harrojë se merr qytete e aq më pak Luginën strategjike të Moravës! Serbët nuk i kanë dhenë kurrë territore Shqipërisë dhe shqiptarëve, vetëm se I kanë marrë”, ka deklaruar Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, kësaj here Serbia mund t’ia marrë territorin më të pasur Kosovës, sepse ka rekrutuar si argat të saj presidentin e vendit me emrin Hashim Thaçi.

“Ndërsa herët tjera së paku nuk ka firmos askush nga shqiptarët për ndarje territoresh. Fuqitë e Mëdha kanë marrë vendime, por nuk kanë gjetur shqiptar që t’i firmosë ato vendime. Sot forca e Serbisë qëndron në shpatullat politike e pushtetore të Hashim Thaçit. Shikoni si shprehet: “Do ta ndërroj kushtetutën”!!! E trajton ligjin themeltar të shtetit si një letër bakalli, të cilën mund ta përdor si t’i dojë qejfi atij.  Kjo është fyerje e rëndë për gjithë Kosovën. Është turpi i politikanëve të tjerë në Prishtinë e në Kosovës, sesi ata bëjnë sehir përballë kësaj mënyre të të konceptuarit të shtetit. Ai që vjen deri te ky mentalitet për ta trajtuar shtetin dhe kushtetutën si pronën e tij, ai e trajton si pronë të vetën edhe territorin e vendit. Hashim Thaçi ka dhënë dëshmi të mjaftueshme se sillet me Kosovën, me shtetin, me kushtetutën e vendit, madje me territorin e saj, si me pronat e babës së vet në Brojë. Ndoshta atje babai i tij nuk e le t’i fusë duart si ia do qejfi. Por për ta trajtuar Kosovën si plaçkën e vet të luftës me të drejtën ekskluzive për t’ia falë Serbisë, Thaçi nuk ka deri më sot asnjë pengesë serioze”, thekson më tej profesori ndërkombëtar.

Image
Enver Bytyçi

 

Ai thotë se Hashim Thaçi duhet të kundërshtohet fuqishëm, e jo vetëm verbalisht.

“Nuk mjafton të kundërshtohen idetë e Hashim Thaçit. “Genug ist genug”!, thonë gjermanët. Në shqip thuhet “Mjaft është mjaft”! Po kur do të jetë mjaft për Hashim Thaçin?! Mbasi ai ta firmosë marrëveshjen e turpit e të tradhtisë për ndarjen e Kosovës e t’i thotë politikës hajde të bëjmë fushatë tani për ndryshimet kushtetuese, për të përligj ndarjen dhe copëtimin e dytë të trojeve shqiptare, kësaj here prej vetë shqiptarëve?! Atëherë dëshirojnë Albin Kurti, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e kushdo tjetër që sot e kundërshtojnë verbalisht Hashim Thaçin , të ngrihen me forcë kundër tij?!”, ka deklaruar ai.

Bytyçi më tej ka thënë se Hashim Thaçi po tregon muskujt e tij politikë.

“Çfarë duhet të bëjë më shumë një personalitet politik qoftë ky dhe president i Republikës, që ta tërheqin zvarrë në rrugët e Prishtinës?! A mos duhet që presidenti t’ua ndalojë politikanëve në Prishtinë të flenë me gratë e tyre, që t’i kundërvihen ë forcë?! Hashim Thaçi po tregon muskujt e tij politikë. Po thotë “Do ta ndërroj kushtetutën”! Po jep mesazhin se “Kosovën e ka ai në dorë, madje si pronë të vetën”! Dhe këta vetëm sa mërmërisin nëpër dhëmbë! I thonë “E ke gabim Hashim”! Kjo më bën të dyshoj në klasën politike të Kosovës, se ajo ndoshta është e kapur, dikush ose shumica prej vetë Hashimit, disa prej Serbisë, disa tjerë prej Rusisë e mund të jenë shumë pak ata që janë të pastër në udhëheqjen e Prishtinës. Një kushtetutë që ka vulën e dëshmorëve të atdheut, e votuar nga gjithë deputetët e Kosovës e që është produkt ndërkombëtar pas bisedimeve për statusin e vendit, nuk mund të ndryshohet aq lehtë! Është dokumenti që e ka bind Gjykatën Ndërkombëtare për të provuar përputhshmërinë e shpalljes së pavarësisë me të drejtën ndërkombëtare! Këtë kushtetutë Hashim Thaçi e trajton si letër higjienike! Dhe përse? Sepse me ndryshimin e saj dëshiron të përligjë tradhtinë e vet!”, thotë për “Kosova Sot” profesor Bytyçi.

Ai thotë se nëse në historinë e botës ka pasur tradhtarë e tradhti, rasti i Hashim Thaçit është më uniku, më i dukshmi, më i kapshmi, më i provuari.

“Shumë kush filozofon sot dhe të quan arkaik nëse përdor terminologji të tillë me tradhti e tradhtare! Le të më thotë dikush, çfarë emri tjetër ka ai që kërkon me ngulm të tjetërsojë territorin e vendit të tij, çka bën sot Hashim Thaçi?! Kur ligjërisht nuk trajtohet Hashim Thaçi nga gjykata e drejtësia si tradhtar, atëherë kush u dashka të trajtohet si i tillë në Kosovë, ndër shqiptarët e në krejt botën?! Nëse dhe ky rast nuk merret në procedim penal, pse duhet që ligji themelor i shtetit, kushtetuta dhe kodi penal i çdo vendi të parashikojë dënime të rënda për tradhtinë?! Fjala tradhti ka lind në momentin që kanë lindur tradhtarët! E nëse në historinë e botës ka pasur tradhtarë e tradhti, rasti i Hashim Thaçit është më uniku, më i dukshmi, më i kapshmi, më i provuari! Tradhtinë e tij ai po kërkon që tani, pa firmosur marrëveshjen e Serbinë ta dekriminalizojë! Mos mendoni se nuk e mendon Hashim Thaçi se do të vijë dita që atë ta gjykojë jo vetëm Gjykata e Hagës, por edhe ajo e Prishtinës, kjo e fundit për tradhtinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë! Ai ka frikë dhe nga frika ndoshta i dalin klithmat si kjo deklarata “Do ta ndryshoj kushtetutën”!”, nënvizon Bytyçi.

“Por edhe Kosova ka frikë prej Hashim Thaçit. Së paku në këtë moment. Politika e korruptuar dhe inkriminuar e Kosovës ka frikë prej kryebanditit në pushtet me emrin Hashim Thaçi. E në këtë rast janë qytetarët ata, të cilët  duhet ta vrasin këtë frikë, duhet që të ngrihen e t’i fshijnë jo vetëm tradhtarët, por edhe politikanët frikacakë e dredharakë!”, përfundon për “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)