Borell: Vetëm nëpërmjet dialogut Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një kompromis për marrëveshje

  • 13 March 2019 - 14:19
Borell: Vetëm nëpërmjet dialogut Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një kompromis për marrëveshje

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borell, është takuar sot me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, me të cilin kanë biseduar rreth fazës finale të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Borell ka thënë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet një kompromis për të zgjidhur problemin me Kosovën, duke përsëritur se vendi i tij nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës.

 “Sa për Kosovën ne e kemi përsëritur pozicionin tonë, se nuk e njohim si shtet, dhe në të njëjtën kohë besojmë se vetëm nëpërmjet dialogut mund të shkohet drejt një zgjidhje të qëndrueshme kompromisi”, ka thënë Borell në një konferencë të përbashkët me Daçiqin, shkruan AA.

Lexo edhe këtë: Policia ndalon një të mitur për përdorim të marihuanës në oborr të shkollës

Ai ka thënë se Spanja beson që dialogu mund të ketë një zgjidhje, bazuar në shembullin që ka dhënë arritja e marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë.

Duke komentuar krahasimet që janë bërë ndërmjet çështjes së Kosovës dhe Katalunisë, ai ka thënë se këto dy situata nuk kanë të bëjnë asgjë me njëra tjetrën.

“Çfarë ka ndodhur në Kosovë nuk ka të bëjë asgjë me Kataluninë”, ka përfunduar Borell.

Serbia është duke kundërshtuar tashmë hapur edhe Platformën e Prishtinës për Dialogun e Brukselit, duke thënë se ajo platformë është kundër dialogut dhe nuk lë vend për kompromis.

(Kosova Sot)