Kryeministri: Duhet të respektohet vendimi i Kushtetueses për rrugën afër Manastirit të Deçanit

  • A.P /
  • 16 August 2020 - 12:44
Kryeministri: Duhet të respektohet vendimi i Kushtetueses për rrugën afër Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Sipas një komunikate të Qeverisë, thuhet se Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Duke e ditur ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj rruge në ekonominë dhe në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit, kryeministri Hoti e mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Hoti rithekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për t’i ruajtur dhe për t’i respektuar objektet sakrale si një vlerë e përbashkët e trashëgimisë së pasur shpirtërore të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)