Rusia i ofron ndihmë ushtarake Bjellorusisë për t’i shtypur protestuesit

  • A.P /
  • 16 August 2020 - 14:53
Rusia i ofron ndihmë ushtarake Bjellorusisë për t’i shtypur protestuesit

Rusia tha të dielën se i ka ofruar asistencë ushtarake presidentit të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, në kohën kur vendi i tij është përfshirë nga protestat masive kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, sipas të cilit Lukashenko do të vazhdojë të mbetet në pushtet.

Së paku dy protestues janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë ndaluar nga autoritetet që nga zgjedhjet e javës së kaluar, për të cilat opozita thotë se u karakterizuan me mashtrim dhe se presidenti që është në pushtet që 26 vjet e ka humbur  përkrahjen popullore.

Megjithatë, Lukashenko mohon se i ka humbur zgjedhjet, duke e cituar rezultatin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas të cilit 80 për qind e votuesve ia kanë dhënë miratimin edhe për një mandat tjetër në krye të vendit.

Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë Lukashenkos se Rusia është e gatshme t’i asistojë Bjellorusisë në ppërputhje me një pakt ushtarak, nëse një gjë e tillë është e nevojshme dhe se ndaj këtij shteti po bëhet presion nga jashtë.

Në kryeqytetin Bjellorus, Minks, përkrahësit e presidentit Lukashenko u mblodhën për herë të parë për ta shfaqur mbështetjen ndaj liderit të tyre, ndërsa për sigurinë përkujdeseshin forca të shumta.

Lukashenko ndodhet në presionin e Bashkimit Evropian për shkak të shtypjes së kundërshtarëve politikë.

Ai deklaroi se tanket dhe aeroplanët e NATO-s janë vendosur afër kufijve të Bjellorusisë dhe mund të hyjnë në vend brenda 15 minutave. NATO-ja nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë deklaratë.

(Kosova Sot Online)