Gjashtë raste të dhunës në familje në Kosovë për 24 orë

  • E. /
  • 19 August 2020 - 10:56
Gjashtë raste të dhunës në familje në Kosovë për 24 orë

Policia e Kosovës në raportin ditor drejtuar mediave ka njoftuar për gjashtë raste të dhunës në familje që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit.

PK’ja ka njoftuar se dje rreth orës 19:05 ka arrestuar një të dyshuar mashkull në Prishtinë, nën dyshimet për dhunë në familje.

“Prishtinë 13.08.2020 – 19:05. Lidhur me rastin, më 18.08.2020 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti, me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Në kryeqytet dje është arrestuar edhe një person tjetër, edhe ky nën dyshimet se ka ushtruar dhunë ndaj një vajze.

“Prishtinë 17.08.2020 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëjnë të ditur nga policia.

Në Komunën e Obiliqit ndërkaq, policia ka arrestuar dje një person, pasi që për të njejtin është raportuar se ka sulmuar fizikisht një grua.

“Obiliq 18.08.2020 – 19:05. Ankuesja femër kosovare ka informuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.

Rreth orës 18:00 ndërkaq, në Komunën e Gjilanit, policia ka arrestuar një person që dyshohet se ka ofenduar dhe kanosur dy viktima gra dhe një mashkull dhe ka sulmuar fizikisht një grua tjetër.

‘’Gjilan 17.08.2020 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ofenduar dhe kanosur dy viktimat një femër dhe një mashkull kosovar poashtu ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”,thuhet në njoftim.

Në komunën e Gjilanit dje është arrestuar edhe një person tjetër.

“Gjilan 18.08.2020 – 02:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëjnë të ditur nga policia.

Në komunën e Gjakovës ndërkaq policia ka bërë të ditur se është duke e kërkuar një person që dyshohet se  e ka shqetësuar një vajzë duke i hapur llogari në rrjete sociale.

“Gjakovë 12.08.2020 – 09:06. Ankuesja femër kosovare ka informuar se i dyshuari mashkull kosovar e shqetëson në telefon dhe i njëjti ka hapur llogari në rrejte sociale në emër të ankueses. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim të policisë.

(Kosova Sot Online)