Hoti takon krerët e institucioneve shëndetësore, flasin për hapjen e shkollave dhe vaksinimin

  • E. /
  • 21 August 2020 - 15:26
Hoti takon krerët e institucioneve shëndetësore, flasin për hapjen e shkollave dhe vaksinimin

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, sot është takuar me krerët e institucioneve shëndetësore me të cilët ka diskutuar për mundësinë e fillimit të vitit të ri shkollor dhe gjithashtu edhe për vaksinimin për gripin sezonal.

Në këtë takim kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kreu i IKSHP-së, Naser Ramadani dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Në këtë takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme epidemioligjike në vend, me theks të veçantë në menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19”, thekson njoftimi i Qeverisë.

“Duke vlerësuar punën e stafit shëndetësor të vendit, gjatë këtyre muajve të rëndë të pandemisë COVID 19, kryeministri Hoti vuri në pah sfidën e rifillimit të vitit të ri shkollor, ndaj kërkoi që në të gjitha institucionet shkollore të ndërmerren veprimet e nevojshme për respektimin e masave dhe protokollove të caktuara nga ekspertët e shëndetësisë”, shton njoftimi.

“Kryeministri Hoti, po ashtu, kërkoi që institucionet e shëndetit publik dhe departamentet komunale të shëndetësisë t’i bëjnë përgatitjet e duhura, në mënyrë që të kryhet me kohë edhe vaksinimi i qytetarëve ndaj gripit sezonal, si një masë mbrojtëse parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë COVID 19”, përfundon komunikata e zyrës për media të Qeverisë.

(Kosova Sot Online)