Koreja e Jugut mbyll shkollat në Suel pas rritjes së rasteve me coronavirus

  • E. /
  • 25 August 2020 - 12:01
Koreja e Jugut mbyll shkollat në Suel pas rritjes së rasteve me coronavirus

Koreja e Jugut ka mbyllur të gjitha shkollat dhe kopshtet në zonën më të madhe të Seulit pas rritjes së rasteve me coronavirus.

Mësimi në distancë do të vazhdojë deri më 11 shtator, tha Ministria e Arsimit e këtij vendi aziatik, raporton BBC.

Të gjithë nxënësit tani do të mësojnë nga shtëpia, përjashtim bëjnë gjimnazistët që duhet të kryejnë provimin pranues universitar gjatë muajit dhjetor.

Është një goditje e madhe për një vend që është vlerësuar për trajtimin e pandemisë globale. Ndërsa rastet filluan të binin në muajin maj, nxënësit u kthyen në shkolla në faza të ndryshme.

Por, afërsisht 200 pjesëtarë të stafit arsimor dhe studentë janë infektuar gjatë dy javëve të fundit në zonën më të madhe të Seulit.

Koreja e Jugut ka raportuar 310 vdekje dhe 17.945 raste që nga fillimi i pandemisë, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins