Dritan Abazoviq: Njohja e Kosovës nga Mali i Zi e mbyllur, e kundërshtoj nëse vjen në rend dite

  • E. /
  • 02 September 2020 - 11:30
Dritan Abazoviq: Njohja e Kosovës nga Mali i Zi e mbyllur, e kundërshtoj nëse vjen në rend dite

Politikani me prejardhje shqiptare, Dritan Abazoviq, bartës i listës i koalicionit “E zeza mbi të bardhën” ka deklaruar se do të jetë kundër, nëse në rend dite të qeverisë së ardhshme malazeze vihet tërheqja e njohjes së Kosovës.

Në një intervistë për gazetën serbe “Kurir”, të cilën e kanë transmetuar disa prej medieve kryesore në Serbi, Abazoviq ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia në të ardhmen të arrijnë marrëveshje.

“Natyrisht se do të jemi kundër dhe mendoj se kjo pyetje as që do të vihet në rend dite, pasi që është çështje e e kryer, nuk duhet kthyer në të kaluarën. Madje pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë gjuhë të përbashkët në të ardhmen e afërt dhe të merren vesh me qëllim të uljes së tensioneve dhe mundësimit të procesit të pajtimit. Paqja nuk ka çmim. Të gjithë këtu e duan paqen…”, ka deklauar ai.

Kusht i koalicionit tonë është një qeveri ekspertësh, në mënyrë që të na përfaqësojnë njerëz të dinjitetshëm, ka thënë ai, duke shtuar se “regjimi do të bëjë çmos, mafia do të bëjë çmos që të mos ndodhë një gjë e tillë”.

“Do të tentojnë të shkaktojnë incidente në të gjitha mënyrat”, ka thënë ai.

Abazoviqi po ashtu, në këtë intervistë ka thënë se ëndërr e tija është “Mali i Zi në BE”.

“Mali i Zi në Bashkimin Evropian, të ketë pajtim dhe standard më të lartë jetese sesa tani. Jam i sigurt se ajo ëndërr mund të bëhet e vërtetë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)