Isa Mustafa konfirmon tensionet në ditën e marrëveshjes, Haradinaj e kishte njoftuar për dorëheqjet e ministrave të AAK’së
Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, thotë se të premten Ramush Haradinaj e ka njoftuar se dy ministrat e tij japin dorëheqje, për shkak të mospajtimit që ai kishte, që të Uashington të nënshkruhet marrëveshje, e cila e përfshin edhe Ujmanin.
Kreu i LDK’së konfirmon se ai e mori një njoftim të tillë nga partneri i koalicionit qeverisës. Siç tregon Mustafa, Haradinaj i ka treguar se ministrat e tij japin dorëheqje, rrethy dy orë para se të nënshkruhej marrëveshja të premten.
“Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikan por se edhe une edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të”, ka shkruar Mustafa.
Haradinaj (të premten) fillimisht tha se e kundërshton marrëveshjen, pasi sipas tij, ajo kishte një dakordim “trepalësh”, pra Kosovë – SHBA – Serbi rreth Liqenit të Ujmanit. E, Haradinaj thoshte se ai nuk pranon që me Serbinë të ketë cfarëdo marrëveshje, ku përmendet Ujmani.
Më vonë, ai u tërhoq dhe e përshëndeti marrëveshjen, pasi, sipas tij, shqetësimi i tij ishte marrë parasysh dhe pika për Ujmanin ishte ndryshuar.
Mustafa thotë se asgjë rreth kësaj pike nuk është ndryshuar, sepse pala amerikane nuk ka pranuar asnjë ndërhyrje në marrëveshjen për të cilën palët janë pajtuar një ditë më parë.
“Formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më dt 4 shtator. Më dt 3 shtator, në mbrëmje, nga Kryeministri Hoti jam njoftuar për harmonizimin e formulimit, i cili është nënshkruar ditën e nesërme ( më dt. 4 shtator)”, ka shkruar Mustafa
(Kosova Sot Online)