Patriarku që fajësonte personat LGBT për Covid-19 infektohet edhe vetë

  • E. /
  • 08 September 2020 - 15:46
Patriarku që fajësonte personat LGBT për Covid-19 infektohet edhe vetë

Një lider fetar në Ukrainë, i cili për përhapjen e koronavirusit i kishte fajësuar martesat mes homoseksualëve, është konfirmuar edhe vetë si i infektuar me virusin e ri.

Patriarku Filaret, 91 vjeç, i cili ka pozitë të lartë në Kishën Ortodokse, ndodhet në spital dhe është në gjendje stabile pasi u diagnostikua me koronavirus, shkruan Daily Mail.

Sipas një faqeje ukrainase të lajmeve, patriarku Filaret është duke vuajtur edhe nga pneumonia.

Ai është një nga figurat më të popullarizuara fetare në Ukrainë dhe pretendon se i ka 15 milionë ndjekës nga 42 milionë banorë sa jetojnë në tërë vendin.

Filaret e kishte udhëhequr ndarjen e Kishës Ukrainase nga Kisha Ortodokse Ruse, e cila i ndërpreu raportet me të.

Ai ishte në qendër të kritikave nga organizatat për komunitetin LGBT në muajin mars pasi kishte deklaruar se përhapja e koronavirusit është një ndëshkim hyjnor për aktivitetet e personave që kryejnë marrëdhënie me persona të gjinisë së njëjtë.

“Epidemia është ndëshkim i Zotit për mëkatet e njerëzve. Mbi të gjitha, e kam fjalën për martesat e gjinisë së njëjtë”, kishte deklaruar ai për një televizion kombëtar.

(Kosova Sot Online)