Naser Rugova: Unë si pinjoll i familjes Rugova do t’i luftojë fjalë për fjalë hienat si Shkëlzen Gashi

  • E. /
  • 11 September 2020 - 13:56
Naser Rugova: Unë si pinjoll i familjes Rugova do t’i luftojë fjalë për fjalë hienat si Shkëlzen Gashi

Zyrtari i LDK-së, njëherit ish-deputet nga kjo parti, Naser Rugova, është treguar shumë i ashpër me Vetëvendosjen, duke komentuar deklaratat e Shkelzen Gashit, që për një kohë shërbeu si këshilltar i Albin Kurtit.

Me anë të një postimi në Facebook, Rugova ka thënë se në deklaratat e Gashit vërehet hendeku i madh mes VV-së dhe LDK-së.

Kjo në kontekstin e asaj që siç thotë Rugova, VV janë të vetmit shqiptarë që mendojnë se intervenimi i NATO-s në Kosovë është bërë për arsye humanitare.

Madje Rugova është shprehur se personat e tillë, LDK do t’i luftojë “gur më gur”, kudo e kurdo.

“Si deputet që ka nënshkruar deklaratën e pavarësisë, por edhe si pinjoll i familjes Rugova, këtyre hienave të kuqe iu them se do ju luftojmë fjalë për fjalë, studio më studio, gur më gur, kudo dhe kurdo, sepse nuk ju lejojmë ta zhbëni shtetin e Kosovës dhe as ta njollosni historinë tonë”, ka shkruar Rugova.

Postimi i plotë:

Në deklaratat e Shkelzen Gashit shihet hendeku i madh kombëtar në mes të LDK-së dhe VV-së. Ata janë të vetmit shqiptarë që pajtohen me Serbinë se intervenimi i NATO-së në Kosovë nuk është bërë për arsye humanitare, pra si ndihmë për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga shfarosja, po, sipas tyre dhe Serbisë, intervenimi qenka bërë për arsye tjera konspiracioniste. LDK-ja e ka paguar me gjak përplasjen idelogjike gjatë dhe pas luftës, por ne e mbrojmë luftën çlirimtare, si vlerë sublime të rezistencës tonë historike kundër pushtimit serb, ndërkaq për ata, të përfaqësuar dinjitetshëm nga Shkelzen Gashi, edhe UÇK-ja paska qenë e kriminalizuar. Si deputet që ka nënshkruar deklaratën e pavarësisë, por edhe si pinjoll i familjes Rugova, këtyre hienave të kuqe iu them se do ju luftojmë fjalë për fjalë, studio më studio, gur më gur, kudo dhe kurdo, sepse nuk ju lejojmë ta zhbëni shtetin e Kosovës dhe as ta njollosni historinë tonë.

(Kosova Sot Online)