Ky ishte amaneti i fundit i Adem Mikullovcit
Aktori i mirënjohur shqiptar, Adem Mikullovci mesnatën e së hënës ka ndërruar jetë. Por, pas vete ka lënë një amanet të madh.
Në një intervistë një vit më parë pati treguar se si kishte menduar ta shkruante vdekjen e tij.
“Kjo i bjen… qysh dal ngadalë njeriu shkon. Mas pari po ti merr flokët, po ti merr sytë, po ti merr vesht, dal ngadal po ta merr forcën e këmbëve, po vjen tu u dobësue dhe po e sheh qysh po vjen dal ngadal dhe e sheh qysh po shuhesh. A frikë jo. Frikë nuk ka por ka gjithmonë kureshtje çka përtej? Cka ndodhë me trunin e njeriut, gjithë kjo dijeni, kjo menquri që e ka njeriu në kokë shuhet dhe shkohet si me ckyq prej rryme. Dashtë e pa dashtë duhet njeriu të mendoj edhe për këto”, pati thënë Mikullovci.
Ndërkaq, në atë kohë, ai nuk kishte përgatitur ndonjë amanet të vecantë për pasardhësit e tij.
Megjithatë, për qytetarët kishte një mesazh, të cilin nuk e shihte si porosi.
“Sipas tregimeve të Anton Qetës, njerëzit kanë lënë amanete kur kanë vdek, kanë lanë do porosi. Unë po vdes veç amanet po ju la këta këto këto. Unë skam amanet. Krejt çka kam amanet është, duajeni njëri tjetrin, respektojeni njëri tjetrin. S’kam, s’kam porosi për kërkan”, pati thënë Mikullovci.
Mikullovci ka luajtur në qindra role në projekte të ndryshme filmike.
Përveç si aktor, ai mbahet mend edhe si delegat i Kuvendit të Kosovës në kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut, 1990, me të cilën Kosova është definuar si republikë.
Në vitin 2017, Mikullovci është zgjedhur sërish deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq, për lajmin për vdekjen e tij ka bërë të ditur gruaja e të ndjerit, Lumnije Mikullovci.
Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook ka njoftuar se burri i saj, Adem Mikullovci, ka vdekur në ora 00:20.
“Sonte pas mesnatës në ora 00:20 ndërroj jetë më i dashuri jonë Adem Mikullovci! Për informata tjera dhe ceremoninë e varrimit ju lajmërojmë”, ka njoftuar bashkëshortja Lumnije Mikullovci.
(Kosova Sot Online)