Ndërpriten përsëri punimet në ujësjellësin e fshatrave të Kamenicës

  • E. /
  • 15 September 2020 - 15:46
Ndërpriten përsëri punimet në ujësjellësin e fshatrave të Kamenicës

Tash e sa vite, banorët e gjashtë fshatrave të Kamenicës janë në pritje që të furnizohen me ujë në ujësjellës. Ndonëse punimet për të finalizuar këtë projekt kishin nisur në filim të muajit gusht, ato janë ndërprerë përsëri. Detaje rreth arsyes së ndërprerjes së punimeve kanë dhënë nga komuna.

Punimet në ujësjellësin e fshatrave të Kamenicës janë pezulluar përkohësisht.

Zëdhënësja e komunës, Margarita Rashiti ka thënë se arsyeja e ndërprerjes së punimeve janë disa pengesa që janë hasur në infrastrukturën nëntokësore.

“Punimet kanë nisur në javën e dytë të muajit gusht, e gjithë kjo pasi që CDI-ja zvicerane e kishte të pamundur furnizimin e me gypa të ujësjellësit nga shtetet fqinje. Një pjesë është rregulluar por momentalisht punimet janë pezulluar përkohësisht për shkak të disa pengesave në infrastrukturë nëntokësore, sepse kemi hasur në disa kabllo të energjisë elektrike të  tensionit të lartë, kabllo të postës dhe kanalizimit fekal”, ka thënë Rashiti.

Rashiti thotë se po angazhohen që të gjejnë zgjidhje për këto pengesa sa më shpejt dhe se në momentin që do të bëhet sanimi i tyre, do të nis edhe faza e fundit e projektit.

“Bashkë me akterët tjerë të përfshirë në këtë projekt, po angazhohemi që sa më parë të gjejmë një zgjidhje për këto pengesa të cilat shpresojmë t’i rregullojmë sa më parë. Në momentin që bëhet sanimi i infrastrukturës nëntokësore, bëhet vendosja e trafos, stacionit të pompimit dhe rezervuarit, nis edhe faza e fundit e projektit. Pra, kyqja e shtëpive individuale në  rrjetin e ujësjellësit në mënyrë që furnizimi me ujë të filloj për gjashtë fshatra të Komunës së Kamenicës”, ka deklaruar ajo.

E nëse nuk paraqitet ndonjë problem tjetër gjatë punimeve, këto fshatra do të kyqen në ujësjellës deri në fund të këtij viti.

“Finalizimi i këtij projekti tejet të rëndësishëm për banorët e fshatrave Muçiverc, Shipashnicë e Poshtme, Dajkoc, Roganë, Novosellë e Hodonoc, pritet të përfundoj në fund të këtij viti nëse nuk paraqitet ndonjë problem tjetër gjatë impementimit të tij”, thuhet në përgjigjet e Rashitit për Express.

(Kosova Sot Online)