“Evropa, jo fushë loje”/ BE e shqetësuar, thirrje të fortë Kinës. Nga Merkel te Pompeo, ja çfarë kërkuan

  • G.g /
  • 16 September 2020 - 09:49
“Evropa, jo fushë loje”/ BE e shqetësuar, thirrje të fortë Kinës. Nga Merkel te Pompeo, ja çfarë kërkuan

Evropa i ka bërë thirrje Kinës që të heqë barrierat tregtare dhe të ribalancojë marrëdhënien e tyre ekonomike, pas një samiti virtual të mbajtur të hënën midis udhëheqësve të BE-së dhe Presidentit kinez Xi Jinping.

Udhëheqësit evropianë gjithashtu ngritën shqetësime për çështjen e të drejtave të njeriut, por Pekini hodhi poshtë atë që e quan ndërhyrje në punët e tij të brendshme.

Videokonferenca e së hënës ishte një alternativë më e vogël ndaj planit fillestar për të mbajtur një takim ballë për ballë midis 27 kryetarëve të shteteve të Bashkimit Evropian dhe presidentit kinez në qytetin gjerman të Lajpcigut.

Pandemia e koronavirusit detyroi organizatorët të ndryshonin planet për zhvillimin e takimit në Gjermani. Takimi virtual u ndoq nga presidenti kinez Xi, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, vendi i së cilës mban presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, zoti Michel përsëriti kërkesën që Kina të hapë tregjet e saj.

“Evropa duhet të jetë lojtare, jo një fushë loje,” u tha ai gazetarëve. “Takimi i sotëm përfaqëson një hap tjetër përpara në krijimin e një marrëdhënieje më të ekuilibruar me Kinën”, shtoi zoti Michel.

Von der Leyen ishte më e drejtpërdrejtë.

“Ne presim heqjen e barrierave të hyrjes në tregun e Kinës,” tha ajo.

Evropa ka shprehur zhgënjim për mungesën e qasjes në tregun e Kinës dhe konkurrencën e padrejtë me industritë e mbështetura nga shteti kinez. Brukseli e sheh marrëdhënien aktuale tregtare me Kinën si thellësisht të padrejtë, por nuk dëshiron një luftë tregtare, thotë analisti Steve Tsang, drejtor i Institutit SOAS të Kinës në Universitetin e Londrës.

“Realiteti është se BE-ja do të dëshironte të forconte marrëdhënien e saj ekonomike me Kinën me disa ndryshime,” tha Tsang për Zërin e Amerikës.

“Unë mendoj se COVID-19 ka ndryshuar shumë gjëra në lidhje me marrëdhëniet (e BE-së) me Kinën. Shumë prej këtyre vendeve (evropiane) nuk e shohin Kinën si një partner tregtar plotësisht të besueshëm ose furnizues të besueshëm të mallrave thelbësore si furnizimet mjekësore. Pra, kjo do të duhet të ndryshojë. Por ata nuk duan një shkëputje të lidhjeve ekonomike me Kinën,” shtoi zoti Tsang.

Të drejtat e njeriut

Bisedimet tregtare u ndikuan nga kritikat në rritje në Evropë mbi shkeljet e të drejtave të njeriu në Kinë. BE ka kërkuar që Pekini t’i japë fund shtypjes së protestave pro-demokracisë në Hong Kong pas hyrjes në fuqi në fillim të këtij viti të të ashtuquajturit “ligj i sigurisë kombëtare”, për të cilin kritikët thonë se i jep fund të drejtës për të protestuar dhe lirisë së fjalës. Ligji lejon Partinë Komuniste të zgjerojë dukshëm pushtetin e saj dhe të forcojë kontrollin mbi qendrën financiare aziatike.

Evropa ka shprehur alarm lidhur me trajtimin nga Kina të popullatës myslimane të ujgurëve në provincën Xinjiang, ku grupet e të drejtave të njeriut thonë se miliona njerëz po arrestohen, dhe ka njoftime se ata mbahen në kampe të punës së detyruar dhe sterilizohen. Kina i ka mohuar këto akuza.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Evropa do të vazhdojë t’i ngrejë këto çështje me Pekinin.

“Dialogu për të drejtat e njeriut do të vazhdojë. (Presidenti kinez Xi Jinping) e ofroi këtë,” tha zonja Merkel. “Pra, tashmë ka pika kontakti për veprime të mëtejshme të përbashkëta. Por kjo nuk do të thotë se ka marrëveshje për këto çështje.”

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë ngritur vazhdimisht shqetësime mbi shkeljen e të drejtave të njëriut nga Kina. Duke folur në radio stacionin “France Inter” të martën, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i bëri thirrje Evropës që të ketë një qëndrim më të ashpër për këtë çështje.

“Ne gjithmonë kemi thënë që kur të drejtat e njeriut janë në rrezik, qoftë pamundësia për të praktikuar fenë, apo paaftësia e thjeshtë për të folur dhe ushtruar të drejtat themelore të ndërgjegjes, Shtetet e Bashkuara kanë një rol për ta bërë të qartë se kjo është e papranueshme”, tha Sekretari Pompeo.

“Ne e kemi bërë këtë në lidhje me atë që po ndodh në Kinën perëndimore dhe në pjesë të tjera të botës. Ne shpresojmë dhe presim të njejtën gjë nga vendet e tjera në botë. Dhe ne mendojmë se evropianët e kuptojnë këtë rrezik në të njëjtën mënyrë si ne. Shpresojmë që ata të ndërmarrin veprime që pasqyrojnë seriozitetin me të cilin duhet të shihen këto shkelje të të drejtave të njeriut.”

Reagimi nga presidenti Xi

Agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua njoftoi se zoti Xi hodhi poshtë çdo ndërhyrje në punët e brendshme kineze gjatë samitit virtual të së hënës, veçanërisht në çështjen e të drejtave të njeriut.

Marrëdhëniet e Brukselit me Pekinin janë të tensionuara, thotë analisti Tsang.

“Qeveritë (e vendeve evropiane) përgjithësisht dhe BE-ja në tërësi, gjithashtu kanë ndërmarrë një qëndrim më të fortë, duke reflektuar zhvendosjen e opinionit publik kundrejt Kinës.”

Bashkimi Evropian është partneri kryesor tregtar i Kinës dhe analistët thonë se Pekini dëshiron të shmangë mosmarrëveshjet e mëtejshme në mes të luftës së tij tregtare me Shtetet e Bashkuara. Brukseli thotë se do të vazhdojë të ngrejë shqetësimet e sigurisë dhe çështjen e të drejtave të njeriut, edhe pse kërkon shkëmbim më të madh tregtar me Pekinin. 

(Kosova Sot Online)