Lexoni edhe:
Modeli kroat i ndjekjes së kokave të krimit, metoda më adekuate për vendet që pretendojnë anëtarësimin në BE
Liderja kryesore e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, i bëri thirrje të hënën Bashkimit Evropian që t’i miratojë sanksionet kundër zyrtarëve të akuzuar për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar.
Ajo shkoi në Bruksel për të kërkuar nga ministrat e jashtëm të BE-së që të shfaqin guxim në këtë drejtim. Atje, zonja Tsikhanouskaya u takua me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, shkruan Reuters.
Pavarësisht fundjavës së gjashtë radhazi me protesta masive kundër presidentit Aleksander Lukashenko, Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur për sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë. Vendet anëtare ende nuk e kanë dhënë miratimin për listën përfundimtare prej 40 zyrtarësh, të cilët pritet të goditen nga sanksionet.
“Liderët e BE-së kanë arsye për të mos vendosur sanksione, por unë kërkova nga ta që të jenë më të guximshëm”, tha liderja e opozitës bjelloruse, e cila u largua nga vendi dhe u vendos në Lituani pas zgjedhjeve nga frika se do të përndiqej politikisht.
“Sanksionet janë të rëndësishme në luftën tonë, sepse janë pjesë e presionit që do të mund t’i detyronte të ashtuquajturat autoritete që ta fillojnë dialogun me ne në këshillin opozitar”, tha Tsikhanouskaya në një konferencë për gazetarë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan zgjedhje të reja në Bjellorusi dhe tërheqje të Lukashenkos pas 26 vjetëve në pushtet.
Në fund të gushtit, Bashkimi Evropian tha se do të marrë masa si ngrirja e aseteve dhe ndalimi i udhëtimit për zyrtarët e qeverisë, zyrtarët e zgjedhjeve dhe zyrtarët e sigurisë në Bjellorusi.
(Kosova Sot Online)