Gruaja afgane lutet që paqja t’ia shpëtojë burrin e katërt

  • E. /
  • 22 September 2020 - 10:11
Gruaja afgane lutet që paqja t’ia shpëtojë burrin e katërt

Taj Bibi, një grua shtatzënë nga Afganistani, po lutet për burrin e saj të katërt pasi ai po niset për të luftuar me talibanët, duke shpresuar se fati i tij nuk do të jetë si i tre vëllezërve të tij, që gjithashtu ishin tre bashkëshortë të kësaj gruaje, që u vranë duke luftuar me militantët.

Duke e shikuar burrin e katërt, Aminullahun, që po niset në një mision tremujor në frontin e luftës, Bibi ka një lutje të thjeshtë. Ajo shpreson që liderët në pushtet mos ta bëjnë vejushë për herë të katërt.

“Nuk mund t’i shoh pesë fëmijët e mi përsëri jetimë”, tha gruaja 33 vjeçe që jeton në provincën malore Kunar, e cila shtrihet në pjesën lindore të Afganistanit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ajo i kishte vetëm 18 vjet kur u martua për herë të parë. Burri i saj i parë ishte vëllai i madh i bashkëshortit të tanishëm. Ai ishte ushtar.

Në shoqërinë Pashtun është e zakonshme që vejushat të martohen me kunetërit e tyre për shkak të besimit se një vejushë nuk duhet të martohet përsëri jashtë familjes së burrit të ndjerë.

Përleshjet mes forcave qeveritare dhe talibanëve nuk janë ndaluar pavarësisht bisedimeve të paqes në Katar, të cilat e kanë ngjallur shpresën për përfundimin e luftës së gjatë e të përgjakshme.

Së paku 60 pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë vetëm gjatë javës së kaluar në shtetin e rrënuar nga lufta.

(Kosova Sot Online)