Hoti në QKUK: Rënia e rasteve me COVID-19 na ka dhënë qetësi shpirtërore, po përgatitemi për vjeshtën

  • E. /
  • 22 September 2020 - 10:35
Hoti në QKUK: Rënia e rasteve me COVID-19 na ka dhënë qetësi shpirtërore, po përgatitemi për vjeshtën

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka vizituar ambientet e QKUK-së ku u takua me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi. Hoti ka përgëzuar stafin shëndetësor për punën që ka bërë për menaxhimin e pandemisë.

Ai ka thënë se janë duke punuar që vjeshta Kosovën ta gjejë më të përgatitur sa i përket valës së dytë.

“24 orë të gjithë po punojnë pa përjashtim. Por ju kur vini në mëngjes, ju përballeni me rrezikun. Unë ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme. Rënia e shifrave kohëve të fundit na ka dhënë njëfarë qetësie shpirtërore në familjet tona. Tash po hyjmë në fazën e vjeshtës. Jemi duke punu ngushtë çdo ditë me Institutin Kombëtar e me profesionistët e tjerë. Objekti duhet që sa më parë të bëhet gati për vjeshtë. Vaksinimi shpresoj të fillojë shumë shpejt”, ka deklaruar Hoti.

E ushtruesi i detyrës i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka treguar para kryeministrit Avdullah Hoti, që po qëndron për vizitë në SHSKUK, për vështirësitë e sfidat gjatë kësaj kohe të pandemisë, duke thënë se falë donacioneve të ndryshme, si ato lokale dhe të organizatave e shteteve mike, kanë ndihmuar jashtëzakonisht institucionet shëndetësore.

Krasniqi ka thënë se janë duke i bërë përgatitjet në rast se virusi shfaqet edhe vazhdon prezencën edhe gjatë dimrit, duke akomoduar e duke rivitalizuar pjesë të ndryshme të objekteve shëndetësore.

Ai ka kërkuar që nga Qeveria punëtorëve shëndetësorë t’u krijohen kushte më të mira për punë dhe paga më të dinjitetshme.

(Kosova Sot Online)