Shënohet rekord javor i rasteve të koronavirusit në nivel global

  • E. /
  • 22 September 2020 - 15:37
Shënohet rekord javor i rasteve të koronavirusit në nivel global

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se gjatë javës së kaluar u shënuan më së shumti raste të koronavirusit në nivel global, ndërsa numri i vdekjeve nga Covid-19 në Evropë u rrit për 27 për qind.

Sipas kësaj organizate, gjatë javës së kaluar u regjistruan gati dy milionë raste të reja të personave të infektuar, shifër që paraqet rritje prej 6 për qind në krahasim me javën e kaluar. Rritja e numrit të rasteve të konfirmuara mund të ketë ardhur pjesërisht edhe nga shtimi i testimeve në mbarë botën.

Rritja e fundit e infektimeve, që i ka detyruar disa shtete evropiane të marrin masa të reja kufizuese, erdhi pavarësisht rënies së numrit javor të viktimave të pandemisë, shkruan The Guardian.

Ndonëse numri javor i viktimave në nivel botëror javën e kaluar shënoi rënie, e njëjta nuk ndodhi në Evropë, ku u shënua rritje e shifrës së viktimave të pandemisë për 27 për qind me më shumë se 4,000 raste fatale.

Në Evropë, Franca, Rusia, Spanja dhe Britania e shënuan numrin më të madh javor të infektimeve, ndërsa Hungaria dhe Danimarka shtimin më të madh të rasteve fatale.

(Kosova Sot Online)