67-vjeçari nga Kosova sot del para gjyqit në Zvicër, e kishte mbytur gruan me lugë të këpucëve
Një burrë 67 vjeç me prejardhje nga Kosova akuzohet se në vitin 2019 e mbyti gruan e tij, duke e goditur me ‘lugë’ të këpucëve. Ai sot do të dalë para Gjykatës së Qarkut në St.Gallen të Zvicrës, ndërsa Prokuroria kërkon dënim me 7 vjet burgim për vrasje pa dashje.
I akuzuari, i cili nga Kosova kishte ardhur në Zvicër si punëtor ndërtimi më 1974, e më vonë këtu e kishte marrë edhe familjen, mund të dënohet edhe me dëbim nga Zvicra për 10 vjet. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim, shkruan SDA.
Siç përmendet në aktakuzë, familja e tij prej shtatë anëtarësh ka funksionuar në mënyrë harmonike për një kohë të gjatë. I akuzuari përshkruhet nga fëmijët e tij si person i qetë, me zemër të mirë, i durueshëm dhe mirëkuptues.
Por, kur i fundit nga pesë fëmijët ishte larguar nga banesa e prindërve të tyre në vitin 2017, marrëdhënia mes çiftit ishte përkeqësuar. Sipas aktakuzës, gruaja kishte ndrushuar psikologjikisht dhe shpesh e kishte fyer e poshtëruar burrin e saj, ndërsa ai kishte duruar për disa muaj.
Por, në një të premte të vitit 2019, ai e humbi kontrollin dhe fillimisht e goditi gruan e tij me shuplakë në fytyrë. Pastaj, siç thuhet në aktakuzë, e ka kapur një lugë këpucësh prej metali, të gjatë 56 centimetra dhe e ka goditur viktimën rreth 20 deri 30 herë. Gruaja kishte vdekur nga plagët e rënda që kishte marrë.
I akuzuari e kishte thirrur vetë Policinë dhe pa rezistuar ishte arrestuar nga ta.
Sipas aktakuzës, ai ka thënë se nuk donte ta vriste gruan, duke u shfaqur thellësisht i penduar për aktin.
(Kosova Sot Online)