Komuna e Prishtinës distancohet nga inspektori që u arrestua për ryshfet

  • E. /
  • 30 September 2020 - 14:24
Komuna e Prishtinës distancohet nga inspektori që u arrestua për ryshfet

Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se është në pritje të njoftimit zyrtar për punonjësin që u arrestua nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se për krejt këtë ngjarje është njoftuar nga mediat.

“Më 29 shtator, në orët e mbrëmjes, jemi njoftuar se njëri nga punëtorët e Komunës është arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe është në mbajtje për 48 orë. Nga mediat morëm vesh që i njëjti dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mitmarrje”, thuhet në njoftim.

Përmes këtij njoftimi, Komuna e Prishtinës është distancuar nga veprimet e inspektorit të arrestuar.

“Komuna e Prishtinës është në pritje të informimit zyrtar, dhe menjëherë do të ndërmerr veprimet e nevojshme në përputhje me Ligjin dhe procedurat. Distancohemi nga çdo veprim i paligjshëm i cilitdo punëtor, dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim të vazhdueshëm me organet e rendit, për çfarëdo rasti!”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë ka njoftuar se të martën ka arrestuar një inspektor ndërtimi të Komunës së Prishtinës për kërkim ryshfeti.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë (NJRHKEK), më 29.09.2020 ka pranuar palën ankuese i cili ka deklaruar se është pronar i një firme ndërtimi që merret me ndërtime të larta. Ankuesi tregon se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe se edhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor i ndërtimi i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet për t’ ia lejuar vazhdimin e punimeve”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se inspektorit iu gjetën para në çantë.

“Dje, më 29.09.2020, në ora 17:00, në një restauruan në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një të dyshuari i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar. Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i njëjti me akt-vendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)