Lexoni edhe:
Karantinohen 131 dasmorë, punonjësi i spitali që ishte i pranishëm në dasmë u infektua me COVID-19
Një aeroplan supersonik i ushtrisë franceze i ka frikësuar banorët e Parisit me zhurmën e tij pasi u nis në një fluturim për t’i dalë në ndihmë një aeroplani komercial, të cilit i kishte humbur radio-kontakti.
Për shkak të zhurmës që aeroplani shumë i shpejtë krijoi, lojtarët e tenisit në turneun “French Open” e ndërprenë lojën të habitur.
Banorët e Parisit ditëve të fundit kanë qenë të shqetësuar pas një sulmi me thikë javën e kaluar, rast që u cilësua si akt terrorist nga autoritetet, shkruan BBC.
Megjithatë, kësaj radhe policia u ngut t’i informonte banorët se nuk ka ndodhur asnjë shpërthim dhe se nuk kanë nevojë të kërkojnë ndihmë nga shërbimet emergjente.
Një zëdhënës i forcave ajrore tha për agjencinë AFP se një aeroplan i tipit “Rafale” e ka kryer një ndërhyrje për ta ndihmuar një aeroplan tjetër që i kishte humbur kontaktet dhe është autorizuar që ta realizojë shpejtësinë më të lartë se shpejtësia e zërit.
Zhurma e madhe e këtij aeroplani i drodhi dritaret e ndërtesave në qendër të qytetit dhe në periferitë e tij, duke i alarmuar banorët.
(Kosova Sot Online)