Vjosa Osmani publikon një fotografi të paparë më herët të Ibrahim Rugovës

  • G.g /
  • 02 October 2020 - 12:19
Vjosa Osmani publikon një fotografi të paparë më herët të Ibrahim Rugovës

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka publikuar në Facebook një fotografi të papublikuar më herët të presidentit historik Ibrahim Rugovës.

Osmani ka shkruar se këtë fotografi e ka huazuar nga koleksioni i fotografive personale të shkrimtarit Abdullah Kounushevci.

Osmani në ditën ndërkombëtare të lëvizjeve kundër dhunës ka shkruar se bota u falet lëvizjeve të mëdha paqësore, të cilat e kanë shënuar historinë e vjetër dhe të re të saj.

“Ajo i përkulet fuqisë mobilizuese dhe solidaritetit të paparë ndërnjerëzor, të cilin këto lëvizje ia falën si shembull qëndrese e mosdorëzimi botës së qytetëruar. Nga Mahtma Gandhi te Nelson Mandela; nga Martin Luther Kingu te Ibrahim Rugova e Vaclav Haveli, bota njohu personalitete të jashtëzakonshme intelektuale e politike, të cilët me fuqinë e mendjes së tyre, me ngulmimin prej qëndrestarësh dhe me vizionin prej ideologësh nacionalë ia falën botës modelin e papërsëritshëm të sjelljes politike karshi dhunës. Ata e jetësuan fatin e popujve të tyre në ëndrrën e madhe të lirisë, ua falën atyre lirinë për veten, por edhe për tjetrin, duke e skalitur modelin e papërsëritshëm human në politikë”, ka thënë ai.

“Lëvizja aktive paqësore për liri, e themeluar nga Presidenti historik në fundvitet ’80 të shekullit të kaluar, e arriti përmasën më të lartë të lirisë: lirinë e brendshme, e cila pastaj u bë shtytësja e madhe e qëndresës kundër dhunës, derisa u arrit edhe liria e jashtme, liria fizike. Prijësi i saj qe ikona e saj. Ai mbetet udhërrëfyesi të cilin, sikur thoshte Marie Franqoise Allen, “fati e solli për ta zgjidhur çështjen shqiptare”. Po ai fat i cili e mori atë ende pa u përmbushur vizioni i tij për shtet demokratik, por i cili mbetet përjetësisht në themelet e tij”, ka shkruar Osmani.

 

Sot, në ditën ndërkombëtare të lëvizjeve kundër dhunës, bota u falet lëvizjeve të mëdha paqësore, të cilat e kanë...

Publiée par Vjosa R. Osmani sur Vendredi 2 octobre 2020

(Kosova Sot Online)