Si veprohet nëse Trumpi sëmuret rëndë dhe në cilat raste do të shtyheshin zgjedhjet

  • 03 October 2020 - 09:05
Si veprohet nëse Trumpi sëmuret rëndë dhe në cilat raste do të shtyheshin zgjedhjet

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, sipas ligjit, duhet të mbahen të martën e parë të nëntorit për çdo katër vjet, që këtë vit i bie data 3 nëntor. Ndryshimi i kësaj date varet nga ligjvënësit amerikanë e jo nga presidenti.

Për ta ndryshuar datën e zgjedhjeve nevojitet shumica e votave në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Kjo gjë është pak e mundshme duke e marrë parasysh faktin që demokratët e kanë shumicën e ulëseve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Edhe nëse data e zgjedhjeve ndryshohet, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se administrata presidenciale zgjat vetëm katër vjet. Prandaj, i tërë ekipi i presidentit Trump duhet të largohet nga detyra më së largu më 20 janar të vitit 2021, shkruan BBC.

Ndryshimi i kësaj date do të mund të bëhej përmes ndryshimit të kushtetutës e një gjë e tillë duhet të miratohet nga dy të tretat e ligjvënësve dhe pastaj nga tri të katërtat e shteteve të ShBA-së, që gjithashtu është pak e mundshme.

Në rast se presidenti është i paaftë për shkak të shëndetit që ta kryejë detyrën zyrtare, Amandamendi i 25-të i lejon presidentit që detyrat t’ia kalojë nënpresidentit, që nënkupton që Mike Pence do të shërbente si ushtrues detyre i presidentit. Posa të shërohej, Trumpi prapë do të mund të kthehej në detyrë.

Nëse edhe nënpresidenti është i paaftë për këtë detyrë për arsye objektive, detyrën e merr kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ndonëse ekspertët e kushtetutës thonë se një kalim i tillë i pushtetit do të nxiste beteja ligjore.

Nëse ajo nuk ka vullnet apo mundësi për ta marrë detyrën, kompetencat i dorëzohen një senatori të moshuar që është pjesë e partisë në pushtet, që në këtë rast është senatori 87-vjeçar, Charles E Grassley.

Nëse Trumpi nuk ka mundësi të marrë pjesë në zgjedhje, sipas rregullave të Partisë Republikane, 168 anëtarët e Komitetit Kombëtar Republikan votojnë për një të nominuar të ri. Kandidat i mundshëm do të ishte nënpresidenti Mike Pence.

Sidoqoftë, asnjëherë në historinë e Shteteve të Bashkuara nuk është zbatuar ky skenar. Partia Demokratike dhe Partia Republikane asnjëherë nuk i kanë ndryshuar kandidatët për president pasi i kanë caktuar ata zyrtarisht.

(Kosova Sot Online )