Shpërthimi i koronavirusit në Evropë, paralajmërohet shtim i masave të rrepta në Kosovë

  • E. /
  • 12 October 2020 - 09:42
Shpërthimi i koronavirusit në Evropë, paralajmërohet shtim i masave të rrepta në Kosovë

Ditëve të fundit në Evropë kanë shpërthyer shifra të reja të të infektuarve me koronavirus, derisa, vetëm dje gjatë ditës është shënuar numër rekord i infektimeve. 123 mijë persona kanë rezultuar pozitiv vetëm në 24 orëshin e fundit, derisa këto shifra kanë alarmuar edhe institucionet kosovare. Në ekzekutiv është paralajmëruar rikthim i masave nëse numri shkon duke u rritur.

Pas disa muaj mbyllje, Kosova sot e ka hapur kufirin me Maqedoninë e Veriut, derisa, qytetarët do të mund të udhëtojnë atje pa test PCR.

Derisa në vend janë liruar masat e po hapen kufijtë, një situatë alarmante është në vendet tjera të Evropës, që hiç më larg se dje kanë shënuar numër rekord të infektimeve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë bëhet fjalë për shifrën më të lartë të infektimeve në një ditë që prej shpalljes së pandemisë, që është 8.3% më e lartë se rekordi i shënuar të premten e kaluar me rreth 114 mijë raste të reja.

Rritja e numrit të infektimeve në Evropë por edhe në të gjithë botën, ka alarmuar institucionet kosovare që ditëve të fundit kanë njoftuar për shifra më të ulta të personave të prekur me COVID 19 në vend.

Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se rreziku nga një valë e re COVID 19 është shumë i madh edhe në Kosovë.

Ai ka thënë se edhe pse ka pasur rënie të rasteve, sipas parashikimit shifrat pritet të rritet e rrjedhimisht, duhet shtrënguar masat ashtu sic po ndodh në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Hoti tutje ka kërkuar mirëkuptim për vendimet që pritet të merren për shtrëngimin e masave. “Prandaj, të gjithë duhet të kemi mirëkuptim për shtrëngimin e masave në javët në vijim, që përfshijnë ndërprerje të tubimeve të mbyllura, kufizime të çdo aktiviteti ku mblidhen qytetarë, kontroll rigoroz i shkollave për përmbushje të masave për mbrojtjen nga covid-19 dhe masa të tjera. Inspektoratet dhe institucionet e tjera mbështetëse”, ka thënë ai.

Për shtrëngimin e masave ka shkruar edhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një konferencë për media.

Ai ka thënë se masat shtrënguese në ditët në vijim janë të domosdoshme.

“Prandaj, lirimi i masave që është bërë më 25 shtator, është bërë me kushtin që të gjitha aktivitetet e lejuara, sikur dhe ato që janë lejuar më parë të zhvillohen duke u bazuar ekskluzivisht në protokollet e udhëzimet përkatëse sektoriale dhe në udhëzimet e Manualit për ndalimin e përhapjes së Covid-19 dhe duke respektuar masat anti Covid 19”, ka shkruar ai.

Momentalisht në Kosovë janë 1 mijë e 197 raste aktive me COVID 19.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 680 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 49 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar dy raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (1 rast Spitali i Përgjithshëm Gjakovë dhe 1 rast Spitali i Përgjithshëm Pejë).”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Të njëjtët bëjnë me dije se deri më tani numri total i rasteve pozitive është 16.179 raste nga 74.586 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 647 raste të vdekjes.

 

Rreziku nga një valë re e Covid-19 në Kosovë është shumë i madh. Në dy javët e fundit, numri i të prekurve ka qenë në...

Publiée par Avdullah Hoti sur Dimanche 11 octobre 2020
 

Adresimi im i sotëm në konferencën për media, përkitazi me situaten epidemiologjike në vend dhe për 100-ditëshin e...

Publiée par Armend Zemaj sur Samedi 10 octobre 2020

(Kosova Sot Online)