Parlajmërojnë grevë urie, aplikantët kërkojnë rritje të numrit të studentëve në Mjekësi

  • E. /
  • 15 October 2020 - 14:43
Parlajmërojnë grevë urie, aplikantët kërkojnë rritje të numrit të studentëve në Mjekësi

Pesëdhjetë aplikantë të Fakultetit të Mjekësisë po kërkojnë rritjen e numrit të studentëve të rinj për vitin akademik 2020-2021 në Drejtimin – Mjekësi e Përgjithshme. Ata po kërkojnë që nga 125 studentë sa janë të pranuar aktualisht, numri të rritet në 175. Nëse një kërkesë e tillë nuk miratohet, ata kanë paralajmëruar edhe grevë urie.

 “Ne pesëdhjetë aplikantët e poshtëshënuar të Fakultetit të Mjekësisë, Drejtimi – Mjekësi e Përgjitshme, niveli bachelor (studime bazike), në bazë të konkursit për pranim të studentëve të rinj për vitin akademik 2020/2021, bazuar në rregullativën ligjore përkatëse, brenda afatit ligjor, paraqesim këtë kërkesë të arsyeshme dhe të bazuar në nevojat aktuale të shëndetësisë në nivel vendi për rritjen e numrit të studentëce të rinj për vitin akademik 2020/2021 në Fakultetin e Mjekësisë, Drejtimi – Mjekësi e Përgjithshme, nga 125 studentë në 175 studentë të rinj”, thuhet në kërkesën e tyre drejtuar Dekanatit të këtij fakulteti, Rekotoratit dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës.

Sipas tyre, nëse një kërkesë e tillë do të miratohej, me këtë do të promovohej edhe barazia gjinore dhe se kjo nuk do të ndikonte në rritjen e numrit të studentëve në vitin e ardhshëm akademik, meqenëse siç thonë nga vitit 2021, ky drejtim edhe në kolegje private, do të liberalizohen vizat dhe krijohen mundësi të tjera për regjistrim në shtetet evropiane dhe ato rajonale.

“Për shkak se në kuadër të kësaj liste prej pesëdhjetë kandidatësh, tridhjetë e nëntë prej nesh janë të gjinisë femërore, me këtë do të promovohej barazia gjinore dhe inkurajimi nga institucionet tona në mbështetje të punësimit dhe inkuadrimit të drejtpërdrejtë në jetën publike, e që me listën aktuale ne po diskriminohemi me çka po na mohohet e drejta elementare për shkollim dhe përzgjedhje të lirë të profesionit për të cilin kemi ëndërruar dhe sakrifikuar aq shumë”, thuhet në kërkesë.

Por, nëse Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë e refuzon një kërkesë të tillë, aplikantët kanë paralajmëruar edhe grevë urie deri në plotësimin e kësaj kërkese.

“Si rrjedhojë e asaj që u tha më sipër, për të mos u humbur një vit akademik kot duke u sorollatur rrugëve të Kosovës, e që do të ishte e dëmshme si për ne, ashtu edhe për tërë shoqërinë në përgjigjësi, ju paralajmërojmë se nga data 19.10.2020, duke filluar prej orës 11:00 të paradites, do të hyjmë në grevë urie deri në plotësimin e kësaj kërkese”, shkruhet në kërkesën e tyre.

(Kosova Sot Online)