Brezovica me ajrin më të ndotur përgjatë muajit shtator

  • E. /
  • 21 October 2020 - 11:07
Brezovica me ajrin më të ndotur përgjatë muajit shtator

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar raportin mujor të cilësisë së ajrit në Kosovë, të matur përmes Rrjetit Nacional për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.

Rrjeti Nacional i Monitorimit të Cilësisë së Ajrit është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil, ku nëntë prej këtyre stacioneve janë të vendosura në komunat si vijojnë: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Brezovicë, Hani i Elezit dhe Gjilan.

Komuna me ajrin më të ndotur përgjatë muajit shtator ka rezultuar të jetë Prizreni me indeks të ajrit 75.4 (sasi e moderuar), gjersa vlera maksimale e kësaj të fundit për një orë kishte shkuar në 141 (e pashëndetshme për grupet e cënuara).

Ndërkohë, Brezovica, pjesë e Komunës së Shtërpcës, si zonë e vetme në qytetin respektiv, indeksin mesatar mujor të ajrit të ndotur, sipas raportit të IHMK-së, e ka 96.8 (afro vlerës që rrezikon grupet e cënuara), teksa vlera maksimale për një orë ka shkuar në 130.6, duke u bërë vendi me ajrin më të ndotur në Kosovë.

Në anën tjetër, Prishtina, ndryshe nga vitet e kaluara, ka pasur një vlerë të moderuar të sasisë së ndotjes së ajrit (50.3 në stacionin matës të IHMK-së).

Muajt në vijim pritet të jenë decisive për cilësinë e ajrit, meqë muajt e dimrit janë periudha kur thëngjilli shfrytëzohet si lëndë djegëse, e ky i fundit vlerësohet si ndotësi nr.1 i ajrit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka propozuar si ide vënien e taksës qytetarëve që vijnë nga qytetet e tjera në Prishtinë, duke e potencuar se një nga arsyet është edhe reduktimi i ndotjes së ajrit.

Çmimi të cilin ia ka caktuar i pari i Prishtinës taksës është 10 euro, vlerë kjo e cila ka ngjallur reagime. Asambleistët komunal të Prishtinës ditë më parë thanë se nuk do e votojnë një propozim të tillë nëse vjen si propozim në Kuvendin Komunal. 

(Kosova Sot Online)