Kryeministri e lëshon seancën, ndërsa Nagavci e akuzon se e ka fikur shtetin

  • G.g /
  • 21 October 2020 - 12:56
Kryeministri e lëshon seancën, ndërsa Nagavci e akuzon se e ka fikur shtetin

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si heqje dorë nga shtetësia zotimin e kryeministrit Avdullah Hoti në Washington që Kosova për një vit të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare.

Nagavci tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, Hoti e ka shpërblyer dyfish Serbinë, duke e akuzuar se e ka fikur shtetin e Kosovës. Teksa Nagavci po fliste, Hoti po diskutonte me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, ndërsa pastaj doli jashtë sallë së Kuvendit për t’u kthyer sërish më vonë.

“Me pezullimin e së drejtës që të kërkojë anëtarësim nga organizatat ndërkombëtare e përmbushi Serbinë që të vazhdojë fushatën e saj kundër njohjeve kundër Kosovës. Kjo kërkesë është që Kosova të heq për një vit të heq dorë prej sjelljes së saj si shtet normal e sovran… Anëtarësimi në organizata i ndihmon ekonomisë dhe nuk e pengon atë. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është atribut i sovranitetit të një vendi… S’ka asnjë shtet që i thotë vetes shtet që i thotë publikisht shtetit tjetër që të heq dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare…Shteti ose ekziston ose jo. Nuk mund të konsiderohet si një makinë që mund ta fikësh e ta ndezësh sa herë që dëshiron… Ju e fikët vullnetarisht shtetin. Zotimi për mosanëtërësim në organizata të ndryshme është bllokim për një vit i shtetit të Kosovës… Shumë prej këtyre proceseve kanë pasur sfida në anëtarësim ndërkombëtar e tash po e pengoni ju atë”, ka thënë Nagavci.

Parparakisht, kryeministri Avdullah Hoti u ka dhënë përgjigje deputetëve të LVV-së për këtë pikë të marrëveshjes. 

(Kosova Sot Online)