Lexoni edhe:
COVID-19 po përhapet frikshëm në kampet e refugjatëve në Siri, shifrat u 10-fishuan muajin e kaluar
Në kohën kur po shënohen rekorde të rasteve ditore të koronavirusit në shumë shtete të Evropës, qeveritë kanë filluar t’i kthejnë masat e izolimit që ishin marrë gjatë valës së parë të pandemisë në pranverë.
Franca tashëm ka vendosur orë policore gjatë natës në qytetet kryesore, përfshirë kryeqytetin Paris. Dy burime të afërta me qeverinë thanë se zyrtarët po shqyrtojnë masa shtesë, përfshirë fillimin e orës policore më herët në mbrëmje, izolimin e njerëzve nëpër shtëpi gjatë fundjavës dhe mbylljen e dyqaneve që shesin produkte joesenciale.
Ministri i Punëve të Jashtme, Gerald Darmanin, tha se Franca duhet të bëhet gati për vendime të vështira rreth masave për luftimin e pandemisë. Këtë deklaratë ai e bëri para një takimi të kabinetit, ku do të diskutohet për situatën e pandemisë.
Republika Çeke gjithashtu i ka shtrënguar masat kundër pandemisë, duke vendosur orë policore dhe kufizim të orarit për dyqanet me pakicë. Qeveria çeke ka dhënë urdhër që ora policore të fillojë nga ora 21, ndërsa dyqanet do ta kenë të kufizuar orarin në fundjavë, shkruan The Guardian.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel raportohet se i ka paralajmëruar politikanët se vendi është në cep të humbjes së kontrollit të luftës kundër koronavirusit. Për shkak të gjendjes shqetësuese, ajo vendosi që takimi me liderët rajonalë të 16 republikave, i planifikuar të zhvillohej të premten, të mbahet të mërkurën.
Në Itali, Ministria e Punëve të Jashtme i paralajmëroi qytetarët që t’i shmangin udhëtimet në vendet tjera evropiane për shkak se mund të mbesin të ngujuar atje, në rast se vendosen masa kufizuese ndaj udhëtimeve. Sidoqoftë, italianët nuk i kanë pritur mirë masat e reja. Në shumë qytetet të mëdha pati protesta të dhunshme të hënën kundër kufizimeve të pandemisë.
Në Rusi, instituti për shëndetin e konsumatorëve urdhëroi që baret dhe restorantet të mbyllen nga ora 23 deri në 6 të mëngjesit për ta luftuar përhapjen e virusit të ri, shkruan The Guardian,
(Kosova Sot Online)