Lexoni edhe:
Trajkovic tregon se si Biden personalisht ka intervenuar në mbrojtjen e manastirit të Deçanit
Kur bëhet fjalë për interesa të biznesit dhe shitblerjes së armatimit, duket se Turqia nuk e ka problem që të bashkëpunojë me palë rivale në fushën e sigurisë, edhe kur ato ndodhen në konflikte të hapura.
Pasi e bleu sistemin raketor S-400 nga Rusia, duke i acaruar aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën e Gjermaninë, Turqia tash është e gatshme t’i shesë dronë luftarakë Ukrainës, e cila që nga viti 2014 po vuan nga agresioni i separatistëve të përkrahur nga Moska.
Ukraina ka thënë se po planifikon të blejë 40 dronë ushtarakë nga Turqia dhe dëshiron të ndërtojnë një fabrikë të madhe për ndërtimin e këtyre mjeteve luftarake pa pilot.
Më 16 tetor, Turqia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, duke e thelluar kështu partneritetin në fushën e mbrojtjes, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Sipas analistëve, kjo është një përpjekje e dy vendeve për t’iu kundërvënë mbizotërimit të Rusisë në rajonin e Detit të Zi.
Ndonëse ka synuar t’i thellojë raportet me Rusinë, presidenti turk në të njëjtën kohë nuk ka ngurruar që të dalë kundër këtij shteti, kur ka qenë fjala për konfliktet e jashtme.
Dy shembuj janë përkrahja e forcave opozitare në Siri, ku Rusia e mbështet qeverinë e Asadit, si dhe përkrahja e hapur ndaj Azerbajxhanit gjatë luftimeve me Armeninë, ku Rusia ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimin e Ankarasë, duke e mbrojtur tërthorazi Armeninë, me të cilën Moska ka pakt të mbrojtjes.
(Kosova Sot Online)