Mbi gjashtë orë i mbyllur në një dhomë, vazhdon bastisja e shtëpisë së Jakup Krasniqit

  • G.g /
  • 04 November 2020 - 13:05
Mbi gjashtë orë i mbyllur në një dhomë, vazhdon bastisja e shtëpisë së Jakup Krasniqit

Që nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm, zyrtarë të EULEX’it e të policisë së Kosovës janë duke kryer bastisje në shtëpinë e ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi.

Lajmin se po kryhet bastisje e kanë konfirmuar fillimisht nga Tribunali Special përmes një komunikate për media.

Në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara bëhet e ditur se në shtëpinë e Krasniqit po bëhet bastisje, derisa, ky nuk është lokacioni i vetëm ku janë duke kryer aksion zyrtarët e EULEX’it e policisë.

Tash kur kanë kaluar më shumë se gjashtë orë që nga fillimi i bastisjes, pala mbrojtëse e Krasniqit ka bërë të ditur se atij mund të iu jetë konfirmuar aktakuza nga Specialja.

Avokati i Jakup Krasniqit, Valon Hasani madje ka paralajmëruar transferimin e tij në Hagë.

“Krejt çfarë mund të konfirmoj është që ka një bastisje… Aktakuza e cila është konfirmuar, tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë, besoj gjatë ditës së sotme”, ka deklaruar Hasani.

Pjestarët e EULEX-it po qëndrojnë në oborrin e familjes Krasniqi edhe në fshatin Negroc të Komunës së Drenasit, që është edhe vendlindja e Krasniqit. Në shtëpinë e tij në fshat nuk ka bastisje, meqë po priten anëtarët e familjes.

Për bastisjen që po zgjatë tash e disa orë kanë folur edhe familjarët e Krasniqit. Vajza e ish-kryeparlamentarit, Gresa Krasniqi ka rrëfyer momentin kur shtëpia e tyre është rrethuar nga forcat e EULEX-it.

Ajo tha se EULEX ka hyrë në shtëpi pa paralajmërim dhe pa asnjë dokument, teksa thekson se Krasniqi është ndarë në një dhomë në katin e parë të shtëpisë dhe është duke u marrë në pyetje që nga ora 06:30 e mëngjesit të sotëm.

“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, na ka brengos mënyra qysh kanë hy në shtëpi pjesëtarët e EULEX-it…Kanë mbërri në mëhallë në mëngjes, e pash që e kanë rrethu komplet shtëpinë, në momentin që e kam hapur derën kam kërku a kanë drejt me kontrollu, kanë hy në shtëpi pa paralajmërim pa asnjë dokument”, tha vajza e Krasniqit.

Në anën tjetër, Krasniqit i kanë dalë në mbrojtje edhe bashkëpartiakët si dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Nga organizata e veteranëve, sekretari Faton Klinaku tha sot se ka informacione të pakonfirmuara se bastisje ka edhe në disa vende të tjera.

Zyrtarë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së tashmë kanë shkuar pranë shtëpisë së Krasniqit.

Zyrtari i OVL të UÇK-së, Enver Hajdari e ka cilësuar maltretim trajtimin që po i bëhet Jakup Krasniqit, i cili po merret në pyetje brenda shtëpisë së tij në lagjen Velania në Prishtinë.

“Ka ndodhë diçka që nuk ndodh kurrkund në botë.. Një izolim, një maltretim”, ka thënë Hajdari.

Bastisjet e Prokurorisë së Specializuar, sipas tij janë të njëanshme dhe të turpshme.

“Këto bastisje janë të njëanshme…. Ne nuk e njohim këtë gjykatë dhe nuk do ta njohim këtë gjykatë. Bastisja është gjëja më e turpshme që ndodh pas 20 viteve”, tha ai.

Hajdari ka thënë se nuk kanë informacione nëse janë bastisur edhe shtëpi tjera të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

(Kosova Sot Online)