Pas 10 orësh përfundon bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit
Njësitet e EULEX’it kanë përfunduar bastisjen në shtëpinë e Jakup Krasniqi, një prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bastisja në shtëpinë e tij ka filluar qysh në orën 6:30 të mëngjesit.
Operacioni është zhvilluar edhe në vendlindjen e Krasniqit, në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.
Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale”, pati deklaruar Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pasi e kishte marrë ftesën për intervistim.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
(Kosova Sot Online)