OKB: Forcat izraelite shkatërruan një fshat palestinez, lanë pa strehë 41 fëmijë

  • G.g /
  • 05 November 2020 - 11:30
OKB: Forcat izraelite shkatërruan një fshat palestinez, lanë pa strehë 41 fëmijë

Kombet e Bashkuara kanë thënë se forcat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor kanë shkatërruar një fshat palestinez, duke lënë pa strehë 73 persona, përfshirë 41 fëmijë.

Makineria e rëndë, e përcjellë nga automjetet ushtarake, u incizuan duke shkuar në fshatin Khirbet Humsa, ku më pas i shkatërruan tendat, shtëpizat, strehimoret për kafshë, tualetet dhe panelet solare, shkruan The Guardian.

“Këto janë disa nga komunitetet më të rrezikuara në Bregun Perëndimor”, tha Yvonne Helle, koordinatore humanitare e Kombeve të Bashkuara për territoret e pushtuara palestineze.

Tri të tretat e këtij komuniteti mbetën pa strehë gjatë operacionit që u zhvillua të martën, tha kjo zyrtare, duke e bërë këtë incidentin më të madh të zhvendosjes së detyruar në më shumë se katër vjet.

Sidoqoftë, zonja Helle tha se sa i përket numrit të strukturave të shkatërruara, operacioni ishte më i madhi në dekadën e fundit.

Të mërkurën, familjet e zhvendosura nga ky fshat u panë në mjedis të hapur, ndërsa po të njëjtën ditë filluan reshjet e shiut.

Sipas zyrtares së OKB-së, rreth 700 struktura janë shkatërruar deri më tani në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor vetëm gjatë vitit 2020, duke lënë pa strehë 869 palestinezë.

(Kosova Sot Online)