LDK vjen në disa përfundime, kërkon maturi dhe qetësi

  • E. /
  • 05 November 2020 - 15:41
 LDK vjen në disa përfundime, kërkon maturi dhe qetësi

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur sot pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj krerëve të UÇK’së. LDK thotë se vendi po kalon në situatë të vështirë institucionale.

Në një komunikatë për media, LDK shkruan se situata e krijuar duhet të përballohet me qetësi dhe maturi.

LDK ka kërkuar unifikim të vendimeve të përgjegjshme politike dhe inistutucionale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara dhe aktin e sotëm të dorëheqjes së Presidentit të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale”, deklaron LDK.

LDK deklaron se lufta e UÇK’së ka qenë e pastër dhe është zhvilluar për të ndaluar gjenocidin serb në Kosovë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë”, deklaron LDK.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që insitucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm”, thotë tutje LDK.

(Kosova Sot Online)