Sqaron Uran Ismaili : Nuk ka pasur bastisje në PDK
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka konfirmuar se në PDK nuk ka pasur kurrëfar bastisje nga Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës.
“Nuk ka bastisje ne PDK. Nuk kemi pranuar asnjë urdhëresë nga misioni i Eulexit apo Policia e Kosovës për bastisje në PDK. Pra, në PDK nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lloj bastisje”, tha Ismaili për media.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hage ka njoftuar të premten se aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë.
Në njoftim shtohet se operacionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për operacionin e Dhomave të Specializuara dhe pjesëtarëve të EULEX-it në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
“Të bastisen familjet e të arrestuarve e që janë dorëzuar paqësisht dhe vullnetarisht nuk ka asnjë kuptim përveç demonstrimit të një arrogance dhe agresiviteti të Policisë së Gjykatës Speciale që për qëllim ka frikësimin e të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë Gjykatë”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ fton Komitetin Ndërkombëtar për Parandalimin e Torturës të përcjellë dhe hetojë sjelljen e Policisë së Gjykatës Speciale “sepse ky edhe është mandati kryesor i këtij Komiteti”.
Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Më 5 nëntor, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërkaq, Krasniqi u transferua atje një ditë më parë, më 4 nëntor.
Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
(Kosova Sot Online)