Rusia thotë se vaksina Sputnik është 92 për qind efektive, por do ta testojë edhe gjashtë muaj

  • G.g /
  • 11 November 2020 - 12:13
Rusia thotë se vaksina Sputnik është 92 për qind efektive, por do ta testojë edhe gjashtë muaj

Fondi Sovran i Pasurisë në Rusi ka thënë se vaksina Sputnik V është 92 për qind efektive në mbrojtjen e njerëzve kundër koronavirusit, në bazë të rezultateve të përkohshme të testimit.

Rezultatet fillestare janë vetëm të dytat që u publikuan nga testimi i fazës përfundimtare në njerëz të kësaj vaksine gjatë përpjekjeve globale për të prodhuar ilaçe që do ta ndalnin pandeminë nga e cila kanë vdekur mbi 1.2 milion njerëz.

Sipas këtij fondi, rezultatet janë të mbështetura në të dhënat e fituara nga 16.000 pjesëmarrës në testim, të cilët kanë marrë nga dy doza të vaksinës ruse, shkruan Reuters.

“Ne po dëshmojmë, në bazë të të dhënave, se kemi një vaksinë shumë efektive”, tha drejtori i Fondit Sovran të Pasurisë, Kirill Dmitriev, duke shtuar se ky është një lajm për të cilin zhvilluesit e vaksinave do të flasin një ditë me nipërit e mbesat e tyre.

Ky institucion tha se testimi i vaksinës do të vazhdojë edhe për gjashtë muaj dhe se të dhënat nga studimi do të publikohen në një revistë të rëndësishme mjekësore ndërkombëtare pas rishikimit nga analistët.

Njoftimi i Rusisë për efikasitetin e vaksinës së saj erdhi vetëm dy ditë pasi kompanitë Pfizer dhe BioNTech deklaruan se vaksina e tyre është 90 për qind efektive, duke e rritur shpresën për zbulimin e një ilaçi.

(Kosova Sot Online)