Ndryshe nga Thaçi e Krasniqi, Selimi s’ka vërejtje për trajtimin nga Specialja
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale nuk ka pasur vërejtje për trajtimin ndaj tij dhe mënyrën e arrestimit.
Për dallim nga dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi, Selimi ka thënë se i kupton rregullat dhe s’ka vërejtje në këtë aspekt.
“Unë i kuptoj rregullat për të ardhur deri këtu, prandaj nuk ka diçka që mund ta nxjerr si vërejtje”, tha Selimi kur u pyet nëse ka ndonjë koment për arrestimin dhe procedurat tjera të transferimit të tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.
Ndryshe nga Selimi, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi janë ankuar të hënën në paraqitjet e tyre të para para Gjykatës Speciale për trajtimin e keq që thanë se po ua bën institucioni që u themelua me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Për trajtimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, avokati i tij, David Hooper shprehu keqardhje dhe u ankua në seancën gjyqësore. Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, që bashkë me Thaçin po akuzohet për një sërë krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, po ashtu u ankua se asnjëherë në jetë s’e ka trajtuar askënd aq keq siç tha se është trajtuar dje nga paraburgimi deri në sallën e gjyqit.
Krasniqi, që u paraqit i pari para Speciales nga katër ish-krerët e UÇK-së që u përfshin në një aktakuzë të përbashkët, u shpreh i mllefosur me trajtimin që iu bë. Ai tha se vetë nuk e ka trajtuar asnjëherë askënd në atë mënyrë.
“Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. E theksoj, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë”, deklaroi Krasniqi.
Ndërsa David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi u shpreh i shqetësuar për reputacionin e klientit të tij, ndërsa e vlerësoi të turpshëm transferimin e Thaçit me pranga në duar nga objekti i paraburgimit deri në sallën e gjyqit.
“Shpresoj që me kalimin e kohës reputacioni i këtij personi të vihet në vend. Ishte për të ardhur turp që e pashë me pranga”, tha avokati Hooper.
(Kosova Sot Online)