Tre mjekë rusë infektohen me koronavirus, ndonëse e kishin marrë vaksinën Sputnik
Së paku tre mjekë rusë, të cilët ishin vaksinuar me vaksinën Sputnik, janë infektuar me koronavirus në Siberi, raportojnë mediet ruse.
Zyrtarët në rajonin Altai raportuan se tre nga 42 mjekët që kanë marrë nga dy doza të vaksinës Sputnik janë infektuar me COVID-19, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS.
“Ka gjasë që imuniteti i mjekëve të sëmurë nuk pati kohë të formohet kur ata u përballën me patogjenin”, tha administratori i rajonit Altai, duke shtuar se vetëm kjo ka mundur ta shkaktojë infektimin e mjekëve.
Rajoni Altai, i cili është në vendin e 18-të për numrin e rasteve në gjithsej 85 rajonet e Rusisë, pritet të marrë një grup prej 2.000 vaksinave Sputnik në fillim të vitit të ardhshëm, shkruan The Moscow Times.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se mungojnë pajisjet për prodhimin e vaksinës dhe kjo mund të shkaktojë vonesa në prodhimin masiv. Raportohet se prodhuesit i kanë ndaluar testimet në njerëz për shkak të mungesave.
Ndryshe, një numër rekord i rusëve janë infektuar dhe kanë vdekur nga COVID-19 në javët e fundit, përderisa autoritetet në mënyrë graduale po vendosin masa kufizuara për ta ngadalësuar përhapjen e sëmundjes.
(Kosova Sot Online)