Mediumi i madh austriak: Kosova në krizë politike pas aktakuzave të Speciales

  • G.g /
  • 12 November 2020 - 10:59
Mediumi i madh austriak: Kosova në krizë politike pas aktakuzave të Speciales

Gazeta e madhe austriake “Die Presse” ka shkruar lidhur me konfirmimin e aktakuzave nga Gjykata Speciale kundët ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi.

Parlamenti në Prishtinë duhet të bjerë dakord për një kryetar të ri të shtetit. Presidenti i mëparshëm Hashim Thaçi është duke u gjykuar në Hagë, shkruan “Die Presse”.

Njeriu i fortë i Kosovës, Hashim Thaçi tani duhej ta ndërronte karrigen e njohur të zyrës me bankën e të akuzuarve. Me një ngurrim të dukshëm, presidenti, i cili kishte dhënë dorëheqjen disa ditë më parë, e lejoi veten t’ia lexojnë aktakuzën në paraqitjen e tij të parë përpara Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë në fillim të javës. Ish-udhëheqësi politik i ushtrisë së shqiptarëve të Kosovës, UÇK hodhi poshtë akuzat për përgjegjësi për krime lufte të tilla si vrasje, persekutim dhe tortura gjatë luftës së Kosovës në fund të viteve 1990: “Unë deklarohem i pafajshëm për çdo pikë”, ka shkruar gazeta austriake, duke theksuar se si David Hooper, avokat i Hashim Thaçit, ironizoi me mungesën e akuzave për trafikim organesh në aktakuzën kundër klientit të tij.

Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. 

(Kosova Sot Online)