
Kroacia shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Kroaci u regjistruan 3.082 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Pavarësisht thyerjes së rekordit, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, tha se shkalla e përgjithshme e infeksioneve është duke rënë, shkruan The Guardian.
Shteti ballkanik me rreth katër milionë banorë deri më tani ka regjistruar gjithsej 75.922 raste të personave të infektuar, ndërsa kanë vdekur 925 pacientë. Momentalisht në Kroaci janë mbi 16.000 raste aktive.
Kryeministri Plenkoviq u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat kufizuese, duke shtuar: “Jemi në periudhën më të vështirë të pandemisë, por një gjë e mirë që po shohim është që rritja e numrit javor të rasteve është duke rënë”.
Në Kroaci, qytetarët janë të obliguar që të vendosin maska në hapësirat e mbyllura publike dhe në transportin publik, ndërsa punëdhënësit duhet të organizojnë punë nga shtëpia për stafin kur kjo është e mundshme.
Sidoqoftë, qeveria konservative ka thënë se do të përpiqet që t’i shmangë izolimin e plotë ose orën policore në mënyrë që të mos e dëmtojë edhe më tej ekonominë.
(Kosova Sot Online)