
Lista Serbe vihet në mbrojtje të Vuçiqit pas kërcënimeve me luftë

Krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës kanë kërkuar dje reagimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s pas paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, për shpërthimin e mundshëm të një konflikti Kosovë-Serbi njëjtë siç po ndodh mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Në drejtim të krerëve të institucioneve të Kosovës ka reaguar “Lista Serbe”, duke i cilësuar si ‘histerik’ thirrjet e Kosovës për reagim nga NATO dhe BE.
“Reagime dhe kërcënime të sëmura ndaj presidentit Vuçiq i cili po bën thirrje për paqe dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut të drejtuar nga BE’ja”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj partie e cila është në koalicionin qeverisës, ndërkombëtarët duhet të përmbahen nga ‘reagimet e frustruara të politikanëve në Prishtinë të cilët po bëjnë përpjekje për përfitime politike”.
Në fund thonë se Lista Serbe e ndan të njëjtin qëndrim me presidentin Vuçiq se në Ballkan “ka nevojë për paqe dhe stabilitet”.
(Kosova Sot Online)