Dështon sërish gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasje të kushëririt të tyre në Viti
Sërish ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasje të rëndë, Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, si dhe të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Ermond Ismajli.
Shkak i dështimit të kësaj seance gjyqësore ishte mungesa e të akuzuarit Ermond Ismajli. Mbrojtësja e të akuzuarit Ermond Ismajli, avokatja Sadbere Maliqi i ka paraqitur kryetarit të trupit gjykues shkresën me të cilën shihet se i akuzuari Ermond ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe është në trajtim në Spitalin Regjional të Gjilanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Meqë nuk kishte kushte për mbajtjen e këtij gjykimi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Zyhdi Haziri ka caktuar seancën e radhës më 17 dhjetor 2020, me fillim në ora 09:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, më 2 maj 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Muhamet Ismajli.
Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të njërit Muhamet, me ç’rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.
Sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta mbretëse, si drunjë dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dërmishje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta mbretëse.
Në këtë drejtim, prokuroria pretendon se të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Edmond Ismajli, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, në kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet dhe Fisnik Ismajlit, në atë mënyrë që gjatë kacafytjeve, me një lopatë i godet të dëmtuarit dhe u shkakton atyre ndrydhje të indeve, për çka akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
(Kosova Sot Online)